Trajneri Orges Shehi nuk ka se si të jetë i lumtur pas humbjes me Kamzën me rezultatin 1-0. Tekniku korçar po përjeton një moment të errët që nuk e ka kaluar as si futbollist, pasi në 5 ndeshjet e fundit ka 4 humbje dhe 1 barazim. Skuadra e tij nuk po arrin të reagojë dhe tashmë po rrëshqasin dhe në tabelën e klasifikimit.

Humbja – “Mendoj se është muaji i mallkuar, pasi po luajmë, por nuk po marrim rezultat”.
Dorëheqja – “Nuk kam asgjë për të sqaruar. Çdo kush mendon si të dojë, mendoj se është çështje e kaluar”.

Dënimi – “Nuk është ai shkaku. Ekipi stërvitet dhe luan mirë, nëse futbollistët do të mendonin ashtu do të ulnin tempin. Më vjen keq, pasi në disa ndeshje nuk kishim shpirt gare që treguam sot, nëse do t’i kishim luajtur të gjitha ndeshjet si sot do të bënim më mirë. Kemi një ngërç psikologjik. Ana psikologjike na ka dëmtuar shumë në këtë periudhë”.

Ndërthurja mes senatorëve dhe të rinjve – “Këto komente nuk na sjellin presion. Lojtarët veteranë duhet të marrin më shumë përsipër. Ata janë kërkues, ata nuk e kanë kaluar masën”.

Tolerimet – “Më vjen keq që dëgjoj kështu komentesh. Duke qëndruar në të ngrohtë dalin shumë familje. Djemtë stërviten mirë, qëndrojnë larg familjeve dhe derdhin djersë”. Në këtë moment, Shehi ka replikuar me të ftuarit në studio ku i ka kërkuar që të pyesin, por mos të aludojnë.

Vendosja me 3 mbrojtës – “U goditëm me një gjysmë rasti. Mendoj se goli ishte i evitueshëm, Kamza nuk na rrezikoi. Problemi i Muzakës na penalizoi, pasi erdhi në momentin e fundit. Na prishi planet dhe ekuilibrat, pasi kishim dhe mungesa të tjera. Me rreshtimin ishim të kënaqur, por nëse e interpreton mirë skemat dhe rreshtimet ndryshojnë”./telesport/