Kukësi është realisht pa fat. Nuk i mungojnë vetëm fitoret në këto 4 javët e fundit, por edhe lojtarët. Çdo javë i kanë bërë llogaritë pa titullarë të rëndësishëm, gjë që ndodhi edhe dje.
Veç Valon Ethemit dhe Eduart Rrocës që nuk luajtën prej kartonëve, dje nuk ishte as kapiteni Besar Musolli që kishte krisje në hundë. Sakrifikoi Kristal Abazaj, edhe pse i dëmtuar, ndërsa rrugës humbën Vasil Shkurtajn.
Ajo takë që mori në kavilje nuk është pa rrezik. Edhe pse sulmuesi rezistoi për minuta të tëra në atë gjendje, në të 74-tën u zëvendësua. Çalonte, duke dëshmuar se dhimbjet janë prezente.
Kur dihet që ndeshja me Skënderbeun luhet këtë fundjavë, ka pak shanse që t’ia dalë. E megjithatë, fjalën e fundit do ta thotë rezonanca, të cilën do ta kryejë vetëm sot.