Pas dy ndeshjeve që kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” gjatë muajit tetor, pritet që ky impiant sportiv të fillojë shembjen e tij. Kjo në fakt ka kohë që pritej madje u pat deklaruar fillimisht se do ishte dhurata e Qeverisë shqiptare për sportdashësit në prag të 100 Vjetorit të Pavarësisë por të gjitha këto ranë poshtë. Problemet e ndryshme të financimit, të administrimit të stadiumit të ri dhe shumë gjëra të tjera. Por e rëndësishme është që nga fundi i tetorit ose fillimit i nëntorit do nisë procesi i shembjes së këtij stadiumi. Sigurisht që pas kësaj procedure, lindin edhe pyetjet e para se ku do t’i luajë kombëtarja shqiptare ndeshjet e saj të ardhshme. Siç raportohet në media të ndryshme, ideja e drejtuesve të FSHF-së është për të investuar në stadiumin “Loro Boriçi”.

Kuptohet bëhet fjalë jo për ndonjë investim të madh por më tepër disa meremetime për të rregulluar tribunën VIP, vendin e gazetarëve, dhomat e zhveshjes e disa gjëra të tjera. Nëse ndodh kjo sigurisht që do ishte diçka shumë pozitive por sërish nuk është shpëtim për stadiumin e Shkodrës. Ai është kthyer në një gjendje aspak të mirë dhe sigurisht që duhet ndërhyrje totale në të. Për të mos thënë se projekti i cili u publikua në muajt e parë të këtij viti, u la krejtësisht në harresë. Megjithatë lajmi i mirë është se kombëtarja mund të luajë në “Loro Boriçi” dhe shkodranët duhet të kënaqen për momentin me të.
www.shkodrasport.com