Sot në Shkodër ka festë. Vllaznia e të gjithë shkodranëve ka ditëlindjen, feston 103 vjetorin e krijimit të saj. 16 shkurti i vitit të largët 1919 i ka ba të tanë ata të ndihen mirë sepse asht kriju klubi i parë sportiv në vend duke hy kësisoj në histori.

Në fakt prej vitesh tashma edhe në vendin tonë festohet Shën Valentini, dita e të dashuruarve, por në Shkodër më shumë festojnë 16 shkurtin sepse kjo është festa e dashnisë së tyre të vërtetë, festa e Vllaznisë.

Ky emër simbolizon shumëçka për këtë qytet. Asht i vetmi emër që bashkon tanë njerëzit e të gjithë besimeve, të të gjithë partive e ndasive, asht i vetmi emër që ban krenar çdo shkodran.

U pat kriju si bashkim i dy shoqnive të besimeve të kundërta fetare këtu e 102 vjet më parë, si për të thanë se njerëzit e këtij qyteti nuk duhet të jenë të ndarë dhe prandaj të mbledhun nën emnin Vllazni, kanë ba shumë gjana të mirë sëbashku.

Ky emër ka nxjerrë në vite shumë kampiona të mëdhenj, shumë rekordmena e sportistë të kalibrit të naltë. Nga rradhët e Vllaznisë kanë dalë sportistë që më pas janë shpallë edhe kampiona bote e Europe. Si rrallëkush ekip tjetër!

Sot e ka rradhën për të gëzu! Vllaznia asht nji emen i nderum dhe i respektum në tanë Shqipninë e këtë gja e ka arrit me lojna të bukura e me gjana që pakkush tjetër mundet me i ba.

Vllaznia në fakt asht lanë mbas dore shpeshherë, është nëpërkambë e dënu sa herë që i asht dhanë mundësia shtetit dhe strukturave të tjera të tij para viteve ’90.

Vllaznia asht ken burim për ekipet e kryeqytetit si Partizani e Dinamo që i kanë marrë sportistat e saj ma të mirë, por kurrë nuk arritën me e shterr sepse nga rradhët e saj buronin të tjerë talenta.

Shkodra dhe shkodranët janë shumë të lidhun me këtë emër dhe nuk besojmë se ka familje që nuk ka patur një pjestar të saj të lidhur me Vllazninë. Dhe për rrjedhojë, nuk ka sesi çdo familje të mos ketë jetu me gëzimet e mërzitë që të jep sporti.

Dhe të tanë sot munden me u gëzu në mënyrën e tyne. Vllaznia ka ditëlindjen. Në raste të tilla shpesh thuhet: Edhe 100! Por në fakt, për Vllazninë kjo shprehje nuk vlen. E ka ba një shekull dhe me siguri që do të kalojë edhe shumë të tjerë dhe do të jetë gjithnjë e ma e fortë sepse është dashnia e tanë shkodranëve./SHKODRA-SPORT.COM/