Kampionati U19 ka luajtur dje ndeshjet e javës së tretë të tij dhe përpos Vllaznisë, edhe një ekip tjetër verior po tregon një formë shumë të mirë sportive dhe ka marrë rezultatin e tretë pozitiv rradhazi dhe kryeson me meritë renditjen bashkë me kuqeblutë në kuotën e 7 pikëve.

Bëhet fjalë për ekipin e Shënkollit që siç dihet këtë sezon drejtohet nga trajneri shkodran Haris Lika. Ditën e djeshme ai ka fituar në fushën e tij me rezultatin 2-1 ndaj Laçit.

Në pjesën e parë ka qenë Seferaj që ka shënuar golin e parë në minutën e 17-të, ndërsa në të dytën ka qenë sulmuesi Daija që ka dyfishuar.

Laçianët ndërkohë kanë bërë edhe ata një ndeshje të mirë, kanë patur edhe rastet e veta, por janë penguar nga ana e portierit të Shënkollit, shkodrani Sinan Dani i cili ka pritur edhe një 11-metërsh dhe po ashtu ka neutralizuar edhe 2-3 gola të tjerë të sigurtë.

Megjithatë kurbinasit kanë arritur të shënojnë gol, por kjo ka ndodhur në minutën e 93-të me anë të Syziut por nuk ka patur kohë më tepër dhe këtu është mbyllur e gjithë ndeshja me fitoren 2-1 të Shënkollit U19.

Ky ekip nën drejtimin e trajnerit Lika ka në përbërje lojtarë të talentuar dhe për këtë arsye, bashkë me Vllazninë por edhe me ndonjë tjetër konsiderohen pretedentë në sezonin e ri./SHKODRA-SPORT.COM/