Ildi Gruda po merr për dore Vllazninë, duke rezultuar një prej lojtarëve më të rëndësishëm në katër javët e fundit të kampionatit, ku dhe kuqeblutë kanë arritur vetëm fitore.
Sulmuesi shkodran shënoi dje golin e gjashtë sezonal, ndërsa i dha tri pikë të çmuara ekipit, që konsolidon tashmë pozitat në katërshe. Në intervistën për “Panorama Sport” pas triumfit me Kukësin, Gruda foli për momentin e mirë që po kalon bashkë me skuadrën, si dhe besimin që ka për të arritur fitoren e pestë radhazi në kampionat, pikërisht të shtunën kundër Erzenit.
Dje sulmuesi mund të mos luante pas problemeve muskulore që pati gjatë javës, por e nisi nga fillimi dhe arriti të shënonte.
Ildi, nga dyshimet për t’u aktivizuar ndaj Kukësit te goli që në start. Ishte kjo javë e çuditshme për ju?
Të them të drejtën ishte një javë që po ndieja shqetësime dhe nuk e dija nëse do të luaja apo jo. Megjithatë, me t’u kthyer në stërvitje me grupin, bisedova me trajnerin dhe ai besoi tek unë, edhe pse jo në 100 % të gjendjes. Jam i lumtur që e justifikova dhe fituam.
Besoni te fitorja e pestë radhazi, këtë herë ndaj Erzenit?
Ne duhet që të punojmë shumë dhe të kërkojmë më të mirën në çdo takim. Pse të mos e arrijmë një gjë të tillë edhe ndaj Erzenit.