Dilemat më të mëdha në kampin e Topçinjve përpara ndeshjes së Arsenal kundër Crystal Palace ishin mbi mënyrën se si Granit Xhaka do përballonte detyrën e tij të re në rolin e mbrojtësit të majtë. Të shumtë ishin skeptikët që shqetësoheshin për rezistencën që futbollisti me kombësi shqiptare mund t’i bënte sulmeve të Wilfried Zaha dhe Andros Townsend.
Kur Arsenal hyri në dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjes në disavantazh të një goli, të gjithë e dinin se do të duhej të shfaqnin diçka më shumë në pjesën e dytë, dhe ajo goditje dënimi e ekzekutuar në mënyrë spektakolare nga Xhaka ishte pikërisht ajo që kërkohej. I pozicionuar në cepin e zonës së 16 metrave, nuk dukej aspak si pozicioni i prirur për një goditje në portë, të paktën deri kur 26-vjeçari me kombësi shqiptare lëshoi atë goditje me të majtën e tij.
Topi parakaloi në djagonale të gjithë zonën e Crystal Palace, duke evituar kontaktin me shokët e tij të ekipit, sikurse dhe me kundërshtarët, për të përfunduar në trekëndëshin e portës, përtej duarve të Wayne Hennessey. Gol spektakolar, aq sa për të rifituar zemrat e tifozëve, e madje më shumë. Mbështetësit e Topçinjve e kanë krahasuar Xhakën me brazilianin legjendar, aq të famshëm për goditjet e dënimit, Roberto Carlos.