Mirlind Daku do të rikthehet të veshë fanellën kuqezi teksa u ftua nga Sylvinho për ndeshjet që Shqipëria do të luaj në transfertë më 11 dhe 14 tetor ndaj Çekisë e Gjeorgjisë, të vlefshme për grupin B1 në Nations League.
Bomberi dardan mungoi në sfidat e shtatorit për shkak pezullimi dhe dëmtimi, por tashmë do të ketë një shans të artë për të dëshmuar veten si ‘9-shi’ i duhur për Kombëtaren. Në mungesë të Armando Brojës dhe Rey Manaj, Daku pritet të nisë të dyja ndeshjet nga minuta e parë.
Si një ogur i mirë, Daku feston rikthimin në Kombëtare me një gol të shënuar ndaj Akhmat Grozny. 26-vjeçari tundi rrjetën në fundin e sfidës që vulosi fitoren 2-0 të Rubin Kazan dhe ‘firmosi’ autorësinë e golit të 6 sezonal në 11 ndeshje ku numëron edhe 2 asiste.
Pas ndeshjes ai ka reaguar në rrjete sociale ku shprehet i lumtur për golin e shënuar dhe shkruan se tani është koha për të bërë të njëjtën gjë edhe me kuqezinjtë. “Gol dhe fitore e madhe. Faleminderit shumë. Tani koha për dashurinë kuqezi”, shkruan Daku./newsport/