Ardit Hoxhaj ishte protagonisti i barazimit të sotëm mes Vllaznisë dhe Universitatea Kraiovës në Ligën e Konferencës. Sulmuesi i aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë, gjeti pas pak minutash golin duke vendosur barazpeshën në shifra në këtë duel.

Vetë lojtari deklaroi për “RTSH Sport” se kjo tregonte se Vllaznia kishte luajtur me dinjitet përballë një kundërshtari të fortë ndërsa do të tentonte kualifikimin në ndeshjen e dytë.

“Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje me dinjitet. Jemi përballur me kundërshtarë të fortë. Kemi pësuar me penallti, penalltia është episod që ndodh gjatë lojës, por gjetëm forcë e reaguam. Tani kemi një ndeshje atje, do të japim maksimumin.

Do të luftojmë e bëjmë maksimumin për të kaluar turin. Do të jetë lojë e fortë edhe atje, por kemi treguar se dimë të luajmë ndaj çdo kundërshtari”, tha Hoxhaj.