Arbiona Bajraktari prej disa vitesh është pjesë e përfaqësueses shqiptare të futbollit dhe ka luajtur në impiante të ndryshme në të gjithë Europën me fanellën kuqezi. Por mbrojtësja e Vllaznisë ka pranuar se për të kishte qenë një emocion i veçantë të gjente rrjetën në stadiumin e ri kombëtar në Tiranë, në ndeshjen e përurimit të tij.

Bajraktari shënoi në sfidën e Vllaznisë ndaj Apolonisë, dueli testues me të cilin u hapën dyert e impiantit modern dhe ajo ka treguar për Vip Sport emocionet e kësaj sfide dhe atij goli që do të mbetet në histori.

“Ndjehem shumë e lumtur së pari se ndihmova ekipin tim që të merrte fitoren dhe zhbllokova rezultatin. Edhe pse pak me vonesë, mendoj se e merituam fitoren.

Normalisht është nder i veçantë që luajmë me këtë fanellë dhe kemi qenë ekipi i parë që ka pasur ndeshje në këtë impiant. Për golin pastaj është nder edhe më i madh.

Kemi luajtur me kombëtaren në Francë e vende të tjera por të jetë një stadium i ri dhe kaq i mirë në Shqipëri është një kënaqësi më shumë për ne. Emocionet ndoshta nuk na lanë të luajmë lojën tonë siç kemi luajtur zakonisht me ekipet e tjera, shpresojmë që të bëjmë ndeshje të mira në të ardhmen.

Shpresoj të jetë edhe hapi i parë e të vazhdoj e të shënoj edhe me kombëtaren e femrave. Gjithashtu ky të jetë fat e të sjellë fitoren me Francën për ekipin e djemve”, tha Bajraktari.

Ndërkohë, për Bajraktarin ka qenë shumë i veçantë fakti se kishte shumë tifozë në shkallët e stadiumit, diçka e rrallë në Shqipëri për futbollin e femrave. “Nuk e prisja një tifozeri  të tillë se futbolli i femrave nuk mbështetet shumë. meqë na dhanë mundësinë të luajmë këtu, i falënderoj, ashtu si edhe të gjithë ata që kanë ardhur të na shohin për këtë sfidë”, tha mbrojtësja. /vipsport/