Një ndër lojtarët më të mirë në sfidën mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, ishte shkodrani Ardit Nikaj. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Nikaj deklaroi se është profesionist dhe bëri vetëm detyrën për Skënderbeun, por nga ana tjetër i vjen edhe keq që shënoi ndaj ekipit ku është rritur.

“Normalisht, për mua ishte goli i parë në Superiore dhe ndjehem mirë. Do isha ndjerë edhe më mirë, po të dilnim me tre pikë sot ndaj Vllaznisë.

Hyra në fushë të bëj maksimumin si çdo herë në shërbim të skuadrës. Shënova, por nuk isha në 100% të formës time. Ndikoi lodhja te unë, pasi edhe fusha nuk ishte në gjendje të mirë, prandaj edhe u zëvëndësova.

Të them të drejtën, pata “ngacmime” nga miqtë e mi në Shkodër pas golit, por unë bëra detyrën time. Normalisht, siç e kam thënë, jam rritur tek Vllaznia. Eshtë qyteti im dhe respekti do mbetet gjithmonë për Shkodrën.

Normal, si çdo trajner që beson te një lojtar dhe ia kthen besimin, do ketë fjalë të mira. Memelli më komplimentoi për ndeshjen që zhvillova ndaj Vllaznisë.

Më duhet punë prapë më tepër, sepse tani jam akoma i ri. Me Skënderbeun kam kontratë 3-vjeçare. Shpresoj të më ecë mirë, pse jo edhe me ndonjë gol tjetër në vazhdim.

Shpresoj shumë që t’ia arrijmë të gjithë së bashku ta mbajmë Skënderbeun në Superiore. Për ne, ndeshja e ardhshme ndaj Kastriotit, është jetë a vdekje.

Megjithatë, ka prapë shumë ndeshje deri në fund të sezonit. Ne do luajmë fort ndaj Kastriotit. Me ndihmën e Zotit, besoj se do marrim rezultat pozitiv”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Skënderbeut, shkodrani Ardit Nikaj.

Maringlen ZHIVANI