Armando Vajushi ka gjetur rrjetën në Serinë B, pas një periudhe negative që kishte mbërthyer karrierën e shkodranit.
Futbollisti 26-vjeçar ka arritur të shënojë golin e vetëm për Avelinon, në humbjen që pësoi ky ekip në shtëpi ndaj Barit, me rezultatin 1-2.
Në përfundimin e ndeshjes, portali “TuttoAvellino.it” ka vlerësuar si futbollistin më të mirë të takimit Vajushin, por pa harruar edhe Migjen Bashën, që ishte kapiteni i Barit.
Të dy mesfushorët shqiptarë janë vlerësuar me notën 6.5, teksa të Avelino kjo ishte nota më e lartë dhe i përkiste Armando Vajushit.
“Një ditë për t’u mbajtur mend. E prezanton veten në fillimin e ndeshjes, teksa ndihmon në mbrojtje dhe aksionet sulmuese.
Goditja e tij ishte e pakapshme për portierin kundërshtar. Në pjesën e dytë ka një kontraktim me muskujt dhe del nga fusha e lojës”, shkruhet për Armando Vajushin, duke u cilësuar si lojtari i ndeshjes./vipsport/