Mesfushori shkodran Armando Vajushi ka vazhduar edhe ai serinë e golave ashtu si dhe Bekim Balaj që shënoi ditën e djeshme. Nëse goli i Balës ka patur një rëndësi më të madhe ngaqë ka qenë i vetmi dhe i ka dhënë tre pikë Spartës, ky i Vajushit, ka qenë njëri nga pesë golat e shënuar nga Liteksi në ndeshjen e kampionatit bullgar ndaj skuadrës Pirin. Shkodrani gjithsesi ka meritën se ka shënuar golin e parë në këtë ndeshje duke i hapur rrugë fitores 5-0 të skuadrës së tij në këtë takim.

Vajushi në minutën e 36-të, ka depërtuar nga e djathta dhe me një diagonale të fortë e ka dërguar topin në rrjetë. Ky është goli i tij i katërt në kampionatin bullgar. Një gol i tillë vjen pikërisht pas paraqitjes së mirë që ai bëri edhe në miqësoren me kombëtaren shqiptare ndaj Kamerunit në mesjavë. Me fitoren e sotme, Liteksi është ngjitur në kuotën e 23 pikëve duke mbajtur vendin e gjashtë në renditje por ai ndodhet vetëm dy pikë larg skuadrës së CSKA të Sofjes që është e treta. Në këtë mënyrë, kjo fundjavë ka qenë për shkodranët shoqëruar me dy golat e Balës dhe Vajushit.
www.shkodrasport.com