Kirian Naubueze është lojtari i momentit në kampionatin tonë. Në 11 javë të zhvilluara, sulmuesi amerikan me origjinë nigeriane ka arritur të shënojë plot 11 gola. Megjithatë mediet e huaja i kanë dhënë jehonë gjendjes së tij shëndetësore teksa raportonin se kohë më parë, 26-vjeçari vuante nga probleme në zemër.

Madje bëhej me dije se në Slloveni kishin ndërprerë bashkëpunimin me të pas analizave mjekësore. Një lajm tronditës ky, por fatmirësisht nuk qëndron më në ditët e sotme. Një gjë të tillë e ka konfirmuar, drejtori sportiv i klubit, Naim Halili.

Në një prononcim për newsport.al, zyrtari i klubit kurbinas ka treguar se nuk ka asgjë shqetësuese. Gjithçka ka të bëjë me një problem të mbartur shëndetësor, por që është kaluar prej kohësh nga potenti i sulmit kurbinas.

“Nuk mendoj se mund të bëjë bujm një lajm që nuk “jeton” në ditët e sotme. Siç e keni shkruar ju, sulmuesi ynë ka pasur probleme shëndetësore në të shkuarën. Në momentin që është afruar në klubin tonë, janë bërë të gjitha analizat mjekësore ku kanë rezultuar të rregullta. E verifikueshme kjo mjaft lehtësisht, pasi i kemi depozituar në Federatën Shqiptare të Futbollit. Kohë më parë, Naubueze ka pasur një problem në zemër.

Por, pas konsultave dhe ndërhyrjeve të doktorëve amerikanë, është dhënë garanci 100 përqind për problemin e mbartur. Ai gëzon shëndet të plotë dhe siç e keni parë në fushë, është në maksimumin e formës. Doktorët amerikanë i kanë dhënë garanci lojtarit që do të mund të luajë futboll deri në përfundim të karrierës së tij. Ndaj nuk ka vend për panik. Ai është dhe do të vazhdojë të kontribuojë për Laçin ashtu siç ka bërë deri më sot“, ka përfunduar për newsport.al, Naim Halili.

Kirian Naubueze u afrua te Laçi në këtë merkato vere. Statistikat e tij janë të frikshme. 11 gola janë shumë për një lojtar që “prek” dhe njihet për herë të parë me kampionatin shqiptar. Por, jo për 26-vjeçarin që me ritmin dhe formën që po kalon, padyshim është kandidati kryesor për t’u shpallur golashënuesi i këtij edicioni në Superiore.