Futbollisti 21-vjeçar shqiptar, Aldi Shpijati, ka mbetur viktimë e një sulmi me thika ndaj tij në Itali. Gjtihçka ka ndodhur natën e së shtunës, kur shokët e djaloshit kanë lajmëruar policinë për ngjarjen në mënyrë që ta transportonin në spital, pas një zënke që kishte ndodhur në një parking.
Sipas informacioneve në mediat italiane, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, kur dy persona kanë qëlluar disa herë me thikë në gjoks dhe në trup futbollistin, i cili gjendej me shokët e tij në këtë parking në Skandiano, për arsye ende të pashpjeguara.
Futbollisti është transportuar me urgjencë në spital dhe i është nënshtruar dy operacioneve, ndërsa tani gjendet në reanimacion. Policia ka identifikuar autorët e agresionit, dy italianë të moshës 30 dhe 36 vjeç.
Shpijati jeton në Itali bashkë me prindërit e tij dhe meqë skuadra ku luan, Arçetana, është pjesë e futbollit amator, punonte në një piceri për të siguruar jetesën.
“Nuk flet shumë për veten, punon shumë. Në ndeshjet e të dielës vjen me vrap nga piceria dhe pas tyre shkon përsëri në punë”, tregoi presidenti i Arçetana, Aleks Spiaxhari, për futbollistin shqiptar i cili luan si sulmues dhe ishte në pritje të një ftese nga klubet në kategoritë më të larta.
“Nuk i japim shpjegim se çfarë ka ndodhur, por e rëndësishme është që ai të bëhet mirë sa më shpejt”./vipsport/