Andi Zeqiri kthehet në “mollë sherri” mes Kosovës dhe Zvicrës. Kosova prej kohësh kërkon që të mbledhë të gjithë talentet që luajnë për helvetët, një gjë që nuk u ka pëlqyer këtyre të fundit, sidomos pasi ka mësuar se Andi Zeqiri është drejt bashkimit me “Dardanët”.

Vetë babai i futbollsitit, Avdi Zeqiri, ka deklaruar për “SuperSport Kosova” se djaloshi është pranë kalimit nga zviceranët, të cilët i ka përfaqësuar me kombëtaret e moshave, të Kosova për të luajtur ndoshta që në takimet e këtij viti me ekipin e parë.

Një situatë që nuk i pëlqen shumë në Zvicër, ku është ngritur alarmi se Kosova po u “vjedh” talentin e të ardhmes.

Menaxheri i ekipeve kombëtare të Zvicrës, Pierluixhi Tami, ka komentuar menjëherë deklaratën e Avdi Zeqirit duke e përgënjeshtruar atë. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Andi Zeiqirin. Ai na tha ne sot se do të vazhdojë të luajë për Zvicrën.

Deri tani e ka bërë këtë me gëzim të madh dhe me shumë pasion. Ne do ta mbështetim dhe do ta shoqërojmë në këtë periudhë të karrierës së tij dhe në të ardhmen, siç kemi bërë deri tani”, theksoi Tami duke premtuar “luftë” për të mbajtur lojtarin. /vipsport/