Një episod i shëmtuar u regjistrua në fundin e ndeshjes mes Vllaznisë dhe Laçit e cila përfundoi me rezultatin 1-0. Futbollistët e të dyja skuadrave u përshinë në një sherr masiv pas vërshëllimës së gjyqtarit Juxhin Xhaja, por protagonist u bë mbrojtësi i Laçit, Erhun Obanor, i cili u tradhtua nga nervat, duke bërë një ndërhyrje horror në stil “kung fu”, ndaj mesfushorit të Vllaznisë, Herald Marku.

“Panorama Sport” siguroi edhe foto, ku në trupin e Markut shihen shenjat e takave pas goditjes së Obanorit. Mbrojtësi i skuadrës kurbinase rrezikon një dënim shembullor nga Komisioni i Disiplinës, pas këtij veprimi të shëmtuar antisportiv. Fatmirësisht, sherri mbeti i lokalizuar, pasi futbollistët dhe stafet e të dyja kampeve nuk u përfshinë në rëndimin e situatës, por në uljen e gjakrave.

Madje, në fund shikohet edhe shoku i skuadrës te Laçi, Albion Marku, që i bën thirrje Obanorit të ruajë qetësinë si dhe duke i kërkuar edhe llogari për veprimin e bërë, që mund të ndikojë shumë te kurbinasit në vijim, pasi ai pritet të dënohet.

Në momentin që skuadra e Laçit ka dalë nga stadiumi, Obanor është shoqëruar me forca të shumta policie, por nigeriani nuk ka ngurruar që të provokojë edhe ata pak tifozë që ishin vendosur jashtë stadiumit. Në drejtim të tij nuk kanë munguar të sharat në momentin që ai u ka treguar atyre gishtin e mesit.

SQARIMI I MARKUT

Lojtari që e pësoi nga ky sherr, Herald Marku, në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport” tregoi versionin e tij të përplasjes me mbrojtësin e Laçit, Erhun Obanor. “Isha i shtrirë për tokë në ato momente pasi kërkoja një faull në drejtim timin, por gjyqtari i ra bilbilit.

Në atë moment mbi kokën time ishte Obanor që foli në anglisht duke thënë se duhej vijuar loja. I thashë që gjithçka ka përfunduar, ai më pështyu dhe më pas edhe më goditi me shkelm në shpinë. Në fushë, me sa duket, bëhen të gjithë trima. Më pas s’e di çfarë ngjau, por shkova te shokët që po kapeshin me lojtarët e tjerë”.