Hamdi Salihi ka folur për shortin e kombëtares shqiptare për EURO 2024. Ish-sulmuesi i kuqezinjve, pjesë e stafit teknik të Shqipërisë ishte optimist për atë që goglat kishin vendosur. Në një lidhje të drejtëpërdrejtë për emisionin “Skaner” të Çarçanit, zv/trajneri i kuqezinjve u shpreh:

“Jemi në një grup me ekipe që mund të bëjmë ndeshje dinjitoze. Kemi luajtur me Poloninë më parë dhe kemi bërë ndeshje të mirë. Kemi futbollistë të mirë, por është e rëndësishme që mos ta harrojmë që ata të jenë në ditën e ndeshjes. I kemi në letër, por kur vjen dita e sfidës, Gjimshiti dëmtohet, Bare po ashtu. Duhet të jenë lojtarët në 100 përqindëshin e tyre. Për t’u përballur me këto ekipe, duhet të kesh fatin me vete, të luash në maksimum.

Minutat? Janë shumë të rëndësishme. Kur i marrim në letër, njëri luan te Chelsea, tjetri te Inter apo dikush tjetër te Atalanta. Kur vjen dita e ndeshjes, duhet të jenë të gatshëm. Shpresoj që t’i kemi. Me sa mbaj mend unë, ekipe si Franca, Spanja, Anglia, shyqyr që i eviton. Ndërsa me këto ekipe që kanë rënë, i kemi mundësitë për të luajtur.

Reja? S’kam komunikuar ende. Javën tjetër jemi të gjithë në Shqipëri. Dje komunikova, por sot jo.

Mbrojtja? E kam thënë dhe herë të tjera. Nëse gjithë gjërat janë në kohën e duhur, në 100 përqind, ne mund të bëjmë mirë. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që jemi Shqipëria. Ne duhet të luftojmë gjithmonë për çdo top. Në eleminatoret e kaluara kishim vështirësi dhe hëngrëm gol. Duhet të fusim cilësi pa humbur ato që kemi krijuar. Të ruajmë atë që kemi bërë më parë dhe të tentojmë çdo gjë më shumë.

E ardhmja e Salihit? S’e kam menduar asnjëherë këtë gjë. Mendoj sot për sot. Çfarë do ndodhë nesër, s’e mendoj. Sido që të vijnë gjërat, unë do të vijoj të merrem me sport. I jam mirënjohës dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë dhënë mundësinë të jem pjesë e Kombëtares. E kam bërë me gjithë qejf”, tha ai.