Real Madridi është “mbreti” i Ligës së Kampionëve me 15 tituj, i fundit i fituar sezonin e kaluar ndaj Borussia Dortmundit në “Wembley” (Londër). Të martën, “Los Blancos” do të përballen me Atlético Madridin në “Santiago Bernabéu”, në ndeshjen e parë të 1/8-ave të kompeticionit në fjalë.

Në 44 sezonet që ka marrë pjesë në garën më të madhe kontinentale për klube, skuadra madrilene ka luajtur plot 499 ndeshje në Kupën e Europës/Champions League. Pra, do ta rrumbullakosë shifrën historike prej 500 ndeshjesh kundër “Colchoneros”.

Real Madridi kryeson renditjen e ndeshjeve të luajtura në Champions (499), i ndjekur nga Bayern Munich me 404 ndeshje në 34 sezone dhe Barcelona me 357 ndeshje në 28 sezone.

“Top-10” e skuadrave me më shumë ndeshje në Kupën e Europës/Champions League e plotësojnë:
Juventusi (311 ndeshje)
Benfica (302)
Manchester United (299)
Milan (283)
Porto (277)
Dinamo Kiev (261)
Liverpool (256)

Atlético Madrid, rivali i Real Madridit të martën, renditet në vendin e 22-të me 178 ndeshje. Nga 499 ndeshjet e Real Madridit në Kupën e Europës/Champions League, bilanci është si më poshtë:
301 fitore
85 barazime
113 humbje

Golat e shënuar: 1.101
Golat e pësuar: 551
Kartona të verdhë: 639
Kartona të kuq: 24

Real Madridi luajti ndeshjen e tij të parë në edicionin e parë të Kupës së Europës më 8 shtator 1955 kundër Servette (Zvicër), në stadiumin “Charmilles” të Gjenevës. Ndeshja përfundoi 0-2, me Miguel Muñoz që u bë golashënuesi i parë i klubit të bardhë në këtë kompeticion.

Në atë sezon, Reali fitoi trofeun e parë të historisë duke eliminuar Servette, Partizanin e Beogradit dhe Milanin, për ta kurorëzuar suksesin me një fitore në finalen ndaj “Stade de Reims” në Paris. Më poshtë keni “jubiletë” e ndeshjeve të Real Madridit në Champions League:

100 ndeshje: 7 mars 1973, ndaj Dinamo Kiev (0-0)
200 ndeshje: 28 shtator 1999, ndaj Porto (3-1)
300 ndeshje: 8 shtator 2007, ndaj Werder Bremen (3-1)
400 ndeshje: 18 tetor 2016, ndaj Legia Varshavë (5-1)

Të martën, Real Madridi do të shkruajë një tjetër faqe historie me 500 ndeshje në kompeticionin që e ka fituar më shumë se kushdo tjetër, 15 herë.