Egnatia konfirmohet edhe një herë si kundërshtari më i sikletshëm për Partizanin në dy sezonet e fundit.
Për të katërtën herë radhazi, këto dy skuadra i mbyllën në barazim 1-1 përballjet mes tyre, duke konfirmuar një ekuilibër të frikshëm, njëjtë siç ndodh edhe në renditje, ku kryesojnë me pikë të barabarta (Partizani ka një ndeshje më pak).
Ndryshe nga çfarë ka ndodhur me çdo kundërshtar tjetër në Kategorinë Superiore, Egnatia është e vetmja skuadër që kampionët në fuqi nuk e kanë mposhtur ende.
Tetë skuadrat e tjera kanë rënë “viktima” të paktën nga një herë. I vetmi ndryshim me betejat e shkuara ishte se në këtë të fundit shënoi Egnatia e para dhe më pas barazuan “demat”.