Nga Endri ÇINARI
Faza e parë e Superiores po shkoj drejt përfundimit, pasi tashmë janë luajtur 7 ndeshjet e para të edicionit. Skuadra e Vllaznisë aktualisht pas këtyre ndeshjeve ndodhet në vendin e 5-të me 9 pikë. Shumë pak për një skuadër që pretendon, por po ta shikosh me vëmendje të gjithë ekipet kanë defiçite.
Kjo pasi kryesues është ekipi i Egnatias, me 13 pikë, 4 më shumë se kuqeblutë. Por ajo që shqetëson tek shkodranët janë shifrat dhe statistikat deri më tani.
Ekipi e ka nxjerrë topin nga rrjeta 8 herë në 7 javë, duke mos pësuar gol vetëm në barazimin 0-0 ndaj Partizanit dhe fitoren 2-0 ndaj Teutës. Duke treguar një brishtësi në repartin e prapavijës.
Por pjesa sulmuese në bazë të shifrave nuk ka çaluar, pasi janë shënuar 9 gola. Ku 6 prej tyre mbajnë firmën e Balajt, duke treguar në njëfarë mënyre varësinë e kuqebluve ndaj sulmuesit. Një fakt tjetër është se Vllaznia ka qenë në disavantazh këtë sezon vetëm ndaj Egnatias. E në sfidat e tjera ka qenë gjithmonë në avantazh.
Pavarësisht se disa ndeshje mund të kishin një përfundim tjetër për ekipin e Memellit nëse disa situata do menaxhoheshin ndryshe. Tashmë kanë mbetur duelet ndaj Tiranës dhe Skënderbeut për të mbyllur fazën e parë. Ku patjetër nga tifozët shkodranë dhe ambienti i futbollit në qytet pritet një reagim nga ekipi.