Nga Maringlen ZHIVANI

Kampionati kombëtar i futbollit për Kategorinë e Tretë do të nisë këtë fundjavë me ndeshjet e dy grupeve, A dhe B. Në grupin A, spikat dueli Partizani B-KF Shiroka, ndeshje kjo që konsiderohet si më e rëndësishmja e kësaj jave.

Sektori i garave pranë FSHF ka planifikuar që sfida në fjalë të luhet ditën e shtunë në stadiumin “Arena e Demave”, duke nisur nga ora 14:00. Një përballje kjo mes dy skuadrave, të cilat kanë objektiv ngjitjen në Kategorinë e Dytë. Në fakt, Partizani B është një skuadër e cila e ka kërkuar ngjitjen në Kategorinë e Dytë edhe vitin e kaluar, por pa ia arritur dot qëllimit.

Edhe këtë sezon futbollistik, të kuqtë synojnë ngjitjen në Kategorinë e Dytë, e cila mbetet një objektiv i vështirë për t’u arritur, duke parë edhe ekipet rivale.

Nga ana tjetër, KF Shiroka, e formuar pak muaj më parë, falë punës serioze të bërë nga presidenti Ergi Axhani, së bashku edhe me trajnerin Fatmir Axhani, këtë sezon ka një objektiv të vetëm, që është ngjitja në Kategorinë e Dytë.

Kujtojmë që, poashtu në grupin A ashtu siç është bërë e ditur tashmë, bëjnë pjesë dy ekipe të Shkodrës, pikërisht KF Shiroka dhe Olimpic Shkodra FC./www.shkodrasport.com/