Në mbledhjen e janarit nuk u fut në rendin e ditës por duket se do ndodhë në mbledhjen e shkurtit të Këshillit Bashkiak. Bëhet fjalë për vlerën e aksioneve të Vllaznisë që Bashkia Shkodër do të nxjerrë në shitje. Ky institucion po e sheh përditë e më tepër se e ka të vështirë ta menaxhojë këtë klub dhe për rrjedhojë, do kërkojë futjen si aksionerë të investitorëve privat. Pikërisht, në mbledhjen e rradhës, pritet të përcaktohet sa aksione do nxjerrë në shitja Bashkia dhe sa do mbajë për vete. Vlera aktuale e kësaj shoqërie aksionere është 2.8 milionë dollar ndërkohë që ende nuk është bërë vlerësimi I lojtarëve dhe stafit apo dhe detaje të tjera që do ta rrisin dhe më tepër vlerën e këtij klubi. Po në këtë mbledhje të shkurtit, që pritet të mbahet në ditët e fundit të muajit, pritet të merret në shqyrtim edhe kërkesa e gjashtë ish-donatorëve të Vllaznisë, Valter Fushaj, Agron Çelës, Elvis Myftar Çelës, Xhevdet Amulit, Pjerin Fushajt dhe Flamur Hoxhës për njohjen e kontributeve të tyre financiare në vite për këtë skuadër, si vlerë të aksioneve tani. Ende nuk dihet nëse kjo kërkesë do merret parasysh apo jo por normalisht që përveçse moralisht, këta donatorë që kanë kontribuar për Vllazninë në vite, duhet të ndihen paksa të favorizuar në krahasim me të tjerët që ndoshta duan sot të investojnë tek kjo skuadër.

www.shkodrasport.com