Ende pa përfunduar kampionati, nga Shqipëria janë larguar tre lojtarë që kanë ‘shkundur’ rrjetat në Superiore.
U nis me Elis Bakajn që tashmë është pjesë e Shahtyor Soligorsk në Rusi dhe më tej vijoi me këmbëshpejtin Kristal Abazaj që është pjesë e Anderlecht-it në Belgjikë.
Sot erdhi dhe marrëveshja zyrtare për Sindrit Gurin te KV Oostend në Belgjikë, i cili u aktivizua për dy vite te Kukësi.
Të tre lojtarët cilësohen si golashënuesit më të mirë të Superiores, pasi Bakaj arriti që të gjejë rrjetën 12 herë, ndërsa Abazaj e ka bërë diçka të tillë 13 herë. Kurse Guri ka arritur kuotën e 19 golave.
Brenda pak muajsh për klubet shqiptare u arkëtuan miliona euro, ndërsa klubet po nisin të funskionojnë me profesionalizëm kundrejt këtij fenomeni që shërben dhe për rritjen e imazhit të futbollit të Shqipërisë në arenën evropiane.
Por, pas firmës së tretë pritet që të vijë dhe ajo numër katër. Këtë herë nga radhët e Luftëtarit, Dejvi Bregu.
Shtatshkurtri vlonjat, i cili është pjesë e gjirokastritëve deri në fund të sezonit, por që kartonin e tij e administron Skënderbeu, pritet që të transferohet në Belgjikë ose Holandë në fund të sezonit.
Ai do të mbyllë dhe këto dy takime me fanellën e Luftëtarit, ndërsa në qershor pritet që të kalojë në një tjetër kampionat.
Burime pranë menaxherit të lojtarit, Shkumbin Qorrmemeti, bëjnë me dije se për lojtarin do të nisë puna intensivisht gjatë javës së ardhshme.
Kontaktet me klube të huaja nuk mungojnë për të, por do të shihet rruga më e mirë si për klubin e Skënderbeut dhe për Bregun.
Pra, ekziston mundësia që vlonjati të mos e veshë fanellën bardhekuqe ashtu si Abazaj.
Ndërkohë që zërat kanë nisur të qarkullojnë, por ende nuk ka diçka zyrtare për të treguar përfundimisht të ardhmen e Bregut që ka shënuar 17 gola në dy sezone me Luftëtarin. /EDS/