Lajmi që ka dalë pasditen e sotme për nxjerrjen e vlerës nga e cila do të nisë ankandi për shitjen e Vllaznisë, padyshim që duhet të ketë kënaqur tifozët e kësaj skuadre.
Ata mezi e presin një gjë të tillë prej vitesh duke e konsideruar mbajtjen e skuadrës nga Bashkia si një arsyet kryesore që çoi në rënien e saj nga Superliga.
Nga ana tjetër vlera e nxjerrë prej shoqërisë audituese konsiderohet edhe qesharake nga dikush por në fakt, kompania që do ta blejë klubin shkodran duhet ditur që blen vetëm aktivitetin dhe asnjë aset të saj.
Po cilat janë hapat e mëtejshëm që do të ndiqen deri në privatizim? Gjëja e parë që duhet bërë është kalimi i këtij raport- vlerësimi në dorën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, në cilësinë e Asamblesë së Përgjithshme të KF Vllaznia sh.a.
Por ashtu, në dorën e Këshillit Bashkiak Shkodër është miratimi ose jo i privatizimit të Klubit, siç edhe masa përqindja që do të ofrohet për të interesuarit.
Ajo që vlen të përmendet është se vlerësimi është bërë kur Vllaznia ishte pjesë e Superligës.
Në momentin që do të hapet ankandi për shitje aksionesh, vlera dysheme (minimale) e aksioneve do të jetë 507 milione lekë të vjetra, e cila natyrisht do të ketë tendencë të rritet me fillimin e ofertave.
Mbetet për t’u parë nëse në mbledhjen e fundqershorit do të miratohet ky raport apo jo.
E rëndësishme është që tashmë procesi ka vijuar në mënyrën e duhur dhe mbetet vetëm të konkretizohet.
Gjasat janë që brenda 2-3 muajve, Vllaznia të ketë një pronar të ri i cili të ketë shumicën e aksioneve.
© shkodrasport.com