Sezoni 2021-22 ishte i shkëlqyer për Eridon Qardakun. Sulmuesi shkodran që u aktivizua në rradhët e Bylis, në Kategorinë e Parë ku në fund doli kampion dhe siguroi Superligën me ballshiotët, zhvilloi edhe një ediciom spektakolar në aspektin personal. 21-vieçari ishte më i miri i sezonit në Kategorinë e Parë.
Kjo duke parë edhe statistikat e tij mbresëlënëse ku me 22 gola dhe 12 asiste, Qardaku patjetër ishte njeriu kryesor i ballshiotëve. Shkodrani prej 3 sezonesh është pjesë e skuadrës jugore, por duket se tashmë është gati për lëvizjen e madhe në karrierë. Interesi nga ekipet elitare të kampionatit tonë nuk mungon për sulmuesin, por drejtuesit ballshiotë duket se nuk kanë në plan ta lëshojnë aq lehtë.
Në Superligë vështirë se për momentin mund ta shohim Qardakun me një skuadër tjetër. Por ofertat për të duket se nuk mungojnë as jashtë vendit. Skuadra nga kampionati kroat janë të interesuara për shërbimet e tij dhe sipas burimeve shumë të afërta me futbollistin, konfirmojnë se mund të ketë një transferim të tijin në Kroaci.
Drejtuesit e Bylis prej vitesh punojnë shumë me elementët e rinj. Duke i promovuar e më pas shitur në skuadra të ndryshme. Duket se edhe kësaj here me shkodranin ata kanë qëlluar në shenjë dhe shumë shpejt mund të ketë një transferim të tijin jashtë Shqipërisë. Tashmë mbetet vetëm të presim, pasi në merkato ka gjithmonë të papritura.
Endri ÇINARI