Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, u shpreh tepër i lumtur, për triumfin 3 me 0 që skuadra bardheblu arriti në “Arenën Kombëtare” ndaj Partizanit. Në prononcimin e dhënë menjëherë pas derbit për mikrofonin e “RTSH Sport”, tekniku korçar ndër të tjera deklaroi:
“Nga brenda nuk mendoj se e kam përjetuar më shumë se të tjerat. Pas golit të parë, e ndjeja për brenda që edhe unë duhet të jepja diçka më shumë nga vetja, për të mos përsëritur ato ndeshje që shënojmë të parët më pas pësojmë.
Kemi punuar këto 3 ditë në stërvitje me Ndrecën pas 2 sulmuesve. Mendoj që edhe ndryshimi tjetër ishte Përgjoni, e pozicionuam pak më lartë, për të mos lënë Partizanin të organizonte ndeshjen. Ajo që më pëlqeu te skuadra ishte egoja dhe besimi. Në shumë ndeshje kemi humbur besimin, edhe pse kemi qenë në avantazh, kjo ishte ajo që ishte shumë ndryshe nga ndeshjet e tjera dhe do ta veçoja.
Për t’i bërë një kompliment Ndrecës, në asnjë moment nuk kursehet, për të bërë atë çka unë i kërkoj. Ka ardhur në fillim të kampionati, ne kishim një pikëpyetje për të qenë lojtar kryesor, por me punën dhe egon e tij, e ka bërë një nga lojtarët më kryesor.
Mihana nuk është se ka luajtur për të shtyrë minutat. Vogli ka qenë shumë shumë mirë në stërvitje, në një moment mendova që edhe mund ta niste lojën nga fillimi. Edhe Mihana është në të njëjtin nivel. Sot nuk kishim mesfushor, veç Smaçit dhe Soler kishim Voglin.
Çdo trajner gjithë javën përgatit ndeshjen, mendojmë mënyrën më të mirë. Futbollistët ishin shumë më të përqëndruar në këtë ndeshje, sot dukej si ndeshja finale, në qoftë se do të gabonim do të kishim shumë pak shanse.
Kundërshtari pati problemet e tij. Lojtarët kishin më shumë besim. Përgjoni sot ka bërë ndeshjen më të mirë, taktikisht, fizikisht, teknikisht. Gjithashtu edhe Vera. Skuadra ishte në besim, në atë mendimin që kemi punuar çdo javë”, u shpreh Shkëmbi.