Bledi Shkëmbi largohet nga Tirana me kokën pas. Me pengje për atë që nuk bëri dot, por edhe me një prerje në besë nëse e quajmë kështu, të marrëveshjes së thyer nga drejtuesit e Tiranës. Ish-kapiteni legjendar i Skënderbeut, por edhe një nga lojtarët e kombëtares, prej vitesh trajner, dje u shkarkua nga drejtuesit e Tiranës.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i sapo larguar analizoi ngjarjet e fundit dhe zbuloi se me presidentin Refik Halili kishte bërë një pakt.

Korçari do ta mbante ekipin deri në dhjetor dhe më pas do të diskutohej e ardhmja. Shkëmbi deklaroi se kjo skuadër do të bindë më vonë, por atij nuk iu dha koha e mjaftueshme për ta bërë të suksesshme. Trajneri pranoi se ai dhe Ibrahimi e dinë mirë sesi ekipi u ndërtua gjatë verës ku asnjë nuk donte të firmoste me bardheblutë.

Në drejtimin e Tiranës do të kishte dashur disa lojtarë cilësorë dhe ndoshta gjërat tani do të ishin më ndryshe? Patjetër, që unë si trajner do të doja edhe ndonjë lojtar më shumë. Ju duhet të dini edhe kohën që kishim në dispozicion për ndërtimin e ekipit. Bërja e kësaj skuadre nga zero, madje me mundësitë që kishim ishte e vështirë. Dhe them se kemi bërë maksimumin. Ne donim lojtarë shqiptarë, por shumë futbollistë vendës nuk kanë pranuar të vinë te Tirana. Dhe kjo për shumë arsye, disa të cilat edhe ju i dini. Disa lojtarë nuk pranonin të vinin dhe ky ishte problemi më i madh.

Siç e shtroni ju situatën, kuptoj se Bledi Shkëmbi do të kishte dashur më shumë kohë në dispozicion? Realisht doja më shumë kohë të punoja. Kishim bërë një marrëveshje me presidentin Halili që në dhjetor do të uleshim për të parë si po shkonte situata. Çfarë duhej dhe duke marrë gjithashtu edhe unë përgjegjësitë e mia. Marrëveshja ishte që kësaj skuadre të re, i duhej dhënë kohë deri në dhjetor. Pastaj ishin edhe dëmtimet siç thashë. Ne na u dëmtua Përgjoni, i cili është kapiteni dhe një nga lojtarët kryesorë. Javët e fundit Prengaj apo të tjerë. Dhe kur ke një skuadër të cunguar, patjetër që ndikon çdo problem i vogël. Doja kohë dhe isha i bindur që situata do të ndryshonte. Gjithsesi, presidenti është pronari dhe ka gjithmonë të drejtë në vendimet që merr.