Në një konferencë zyrare për shtyp ditën e sotme, Tirana ka prezantuar tranerin e ri, Bledi Shkëmbi, dhe drejtorin sportiv, Agim Ibraimi. Si fillim, në fjalën hyrëse, Shkëmbi falenderoi drejtuesit e klubit për mundësinë e dhënë që të jetë në krye të pankinës bardheblu e ndërsa tregoi se çfarë e bindi të firmoste me klubin më të titulluar në Shqipëri duke treguar se e di mjaft mirë hapin që ka ndërmarrë.

“Falenderoj drejtuesit për mundësinë e dhënë, bëhet fjalë për Tiranën me histori të madhe. E di mirë çfarë më pret dhe ku kam ardhur. Falenderim edhe për Federatën se më dhanë mundësinë t’i bashkohem këtij klubi të madh. Isha trajner i U17, por dëshira e drejtorit dhe presidentit bënë që të merrja përsipër Tiranën. Kam drejtuar skuadra të tjera, por Tirana është diçka tjetër”.

Shkëmbi ka një plan afatgjatë dhe me objektiva të qarta për klubin bardheblu por këkron mbeshtetjen e tifozëve përkrah që të arrihet çdo gjë e planifikuar, që duket se janë agravuar së fundmi me zgjedhjet e klubit bardheblu.

“Marrëdhënia me tifozët? Dua që t’i bëjmë lojtarin e 12-Të. Kur i kam pasur kundërshtarë më kanë vënë në presion. Nëse mua nuk më shkon puna atëherë do iki, por skuadra është përgjithmonë. Nuk kam ardhur në luftë, presionin di ta mbaj, nëse bën mirë dhe fiton atëherë tifozët i ke në krah, nëse ndodh e kundërta atëherë ikën”.

Ndërkohë, për drejtorin sportiv, Ibraimi gjithçka është e qartë: “Jemi në rindërtim e sipër, duhet kujdes për të marrë vendimet e duhura në periudhë afatgjate. Do të shohim edhe të rinjtë që të kemi sukses në vijim. Bashkë me trajnerin do të analizojmë lojtarët e duhur dhe do të përforcohemi aty ku kemi nevojë”.