Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, u shpreh i keqardhur për barazimin 2 me 2 që skuadra e tij arriti në “Arenën Kombëtare”, ndaj Bylisit. Në prononcimin  e dhënë menjëherë pas ndeshjes, tekniku korçar, u shpreh se skuadra e tij nuk ishte në ritmin e duhur në këtë përballje, duke mos bërë atë që kishin përgatitur në stërvitje:  

“Më vjen keq, nuk e kishim përgatitur ndeshjen për të luajtur në atë mënyrë, ishim të ngadaltë, nuk ishim në ritmin e duhur, ishim të lexueshëm, pa rrezikshmeri. Nuk bëmë atë që kishim përgatitur.  Me meritë kalojmë në avantazh, dhe pësojmë për të shumtën herë të njëjtin gol dhe për këtë më vjen keq.  

Ne menduam të rrezikonim më shumë, duke futur Prengajn, që në një kundër një është lojtar i vlefshëm, në disa momente bëri mirë. Në pjesën e parë Gjumsi nuk bëri atë që doja unë të bënte. U nxitua në disa momente, kërkoja më shumë gjerësi. Ne arritëm të kthejmë rezultatin, vuajtëm pak, por më shumë nga goditjet standarte, ashtu erdhi dhe rasti i golit. Minutat pas golit të barazimit janë të pafalshme. Nuk mundet që një skuadër dhe një fanellë si Tirana të trembej aq shumë. 

Ne jemi në një moment delikat, të gjithë bashkë duhet të bëjmë maksimumin, për të kaluar këtë situatë, sot bëmë një gabim goxha të madh në rrugën që kemi deri në fund të kampionatit. Duhet të bëjmë maksimumin për të larguar këtë situatë.  

Bylisi në rastin e parë të rrezikshëm shënoi goli. Mbrojtësat ishin të papërqendruar. Të gjithë lojtarët nuk reaguan në mënyrën e duhur, duke filluar nga hedhja e autit. Goli i dytë erdhi nga një faull, nga një goditje standarte. Më vjen keq, ne punojmë shumë, sa më shumë gabojmë, aq më shumë punojmë në stërvitje. Nuk di çfarë të them, është përqendrim edhe fat”, u shpreh tekniku korçar për mikrofonin e “RTSH”.