Bledi Shkëmbi pranon se Tirana tani nuk ka se çfarë të humbasë dhe do të hidhet e gjitha në sulm për të mundur Dinamon. Sipas tij, ajo që ndodhi me Teutën është e pafalshme, sepse si Zharmuni, edhe Ndreca, duhet të kishin mbyllur takimin dhe fatet e ndeshjes do të ishin pak më ndryshe.

Shkëmbi tha se java që nisi të hënën do të jetë një tmerr i vërtetë, por pranoi se tani ekipi di vetëm një objektiv: atë që të fitojë ndaj bluve në derbin e kryeqytetit. Kujtojmë që Tirana nuk ka fituar në asnjë ndeshje ndaj Dinamos këtë sezon në Kategorinë Superiore, teksa ka një barazim dhe dy humbje, njëra madje shumë e rëndë 1-4.

Shkëmbi, një humbje ajo me Teutën që ju vë në një pozitë shumë të vështirë. Duket se rruga e vetme për Tiranën është “play out”-i…

Në këtë situatë që jemi, duhet të kënaqemi me “play out”- in dhe të bëjmë akoma më shumë në javën e fundit dhe në ndeshjen e fundit. E shohim shumë mirë situatën. Nga java në javë bëhet shumë e vështirë. Në ndeshjen e fundit, shpresoj që të kemi edhe fatin me vete. Ndaj Teutës ishim realisht të pafatë.

Humbët penallti dhe raste pa fund. Fati është ai që ju dëmtoi apo edhe mospërqendrimi i lojtarëve?

Fati ka të bëjë me qetësinë. Ishin disa raste për shënim që duhet t’i kthenim në gol, siç është penalltia apo mundësitë me Ndrecën.

Pamë në fushë një skuadër të rënduar psikologjikisht, që kishte frikë të luante. Jeni i këtij mendimi?

E kuptoj anën psikologjike të lojtarëve, por nuk ka justifikim. Jemi në këtë situatë të keqe dhe në këtë moment delikat vetëm prej fajit dhe problemeve tona.

Natyrshëm lind pyetja: ju Dinamon këtë sezon nuk e keni mundur asnjëherë. Mund t’ia dilni në këtë moment?

Patjetër që mund ta mundim Dinamon. Kjo nuk diskutohet. Do të kalojmë një javë jo të mirë. Një javë shumë të vështirë nga ana psikologjike. Kemi finalen e fundit dhe ana pozitive është që ne nuk kemi çfarë të humbasim më. Ne do të luajmë për të fituar dhe asgjë tjetër.