Në ditën e lamtumirës së fundit për ish- arbitrin e FIFA-s Tahir Kalacin, njeriu që ka folur më gjatë, njeriu që ka organizuar gjithçka sa i takon ceremonisë së homazheve, ka qenë ish-kolegu i tij Mhill Shkëmbi. Në një prononcim për mediat, ai ka zbuluar shumë detaje të jetës së mësuesit dhe kolegut të tij duke thënë:

“Tahir Kalaci ka qenë një nga arbitrat më të mirë të historisë së Shkodrës dhe të Shqipërisë. Një vlerë e jashtëzakonshme e abitrimit shqiptar, një kollos i tij. Ka qenë një njeri i jashtëzakonshëm, model në të gjitha drejtimet. Nga duart e tij kanë dalë shumë arbitra me të cilët ne krenohemi. Kalaci vërtetë mund të konsiderohet i paarritshëm në arbitrim, ndonëse shpresojmë që të arrihet por deri më sot, absolutisht është arbitri më i mirë i Shkodrës, pse jo edhe i Shqipërisë. Ai ka arbitruar mbi 200 ndeshje në kategorinë e parë të futbollit shqiptar, sot kategoria Superiore dhe po ashtu edhe mbi 20 ndeshje ndërkombëtare. Dhe në asnjërën prej tyre, nuk ka qenë asnjë problem. Natyrisht që nuk arbitrim pa gabim por gabimet e Tahir Kalacit kanë qenë kaq të vogla aq sa nuk pati ndonjë ekip në Shqipëri që ta refuzonte atë, çka ndodhte rradhë me një arbitër tjetër. Ne i jemi borxh shumë Tahir Kalacit, veprës së tij, punës së tij, pse jo edhe familjes së tij për ta respektuar. Arbitrat e Shkodrës duhet ta kenë si busull orientimi karrierën e këtij arbitri. Ai ishte një gur në themelin e kësaj kalaje që quhet Shkodra e sportit dhe Shkodra e kulturës”. Shkëmbi në fakt e ka njohur më mirë se kushdo tjetër këtë njeri sepse ka qenë në rolin e asistentit me të në gati 160 ndeshje në kategorinë e parë. Pikërisht kjo kohë e gjatë e punës së bërë me Tahir Kalacin, e ka bërë ta njohë mirë këtë figurë të njohur të arbitrimit shqiptar.

© shkodrasport.com