Bledi Shkëmbi ishte i ftuar në emisionin “Sport News”. Ish-trajneri i Dinamos analizoi këtë sezon të skuadrave të Superiores duke dhënë mendimin e tij për çdo ekip. Korçari zgjodhi edhe lojtarin që meriton Këpucën e Artë, i cili gjendet në ekipin bardheblu.
Fillimisht përgëzoi krutanët për triumfin ndaj bardhebluve dhe në fund u ndal te Dinamo, skuadër me të cilën nisi edicionin futbollistik si trajner. Në intervistën e dhënë për Enxhi Bibën, Shkëmbi tha:
“Mendoj që më shumë komplimenta meriton Kastrioti se sa Tirana. Jam i bindur që Tirana e siguron që nga ndeshja e ardhshme titullin kampion. Në futboll duhet të jesh gjithmonë i sinqertë me atë që kërkon dhe merr.
Kastrioti meriton vërtetë komplimenta, por është larg të shkuarit në Europë. Futbollistët dhe stafi po marrin maksimumin duke u përgatitur maksimalisht nga java në javë. Mendoj që suksesi i Kastriotit është që iu shmangën mbijetesës. Do të jetë meritë e lojtarëve dhe e stafit nëse arrijnë zonën Europës.
Humbja e Tiranës? Është diçka që vjen vetiu motivimi i lojtarëve. Jam i bindur që fusha e “Selman Stërmasit” s’ishte në nivelin e duhur. Tirana ka më shumë cilësi se Kastrioti. E ka të vështirë për të luajtur. Këto pikë të shumta dhe largësia që ka me ekipet e tjera, ndaj ka ardhur ky rezultat. Nga ndeshja e ardhshme do të shohim një Tiranë ndryshe. Jam i bindur që kjo humbje është motivim për të fituar.
Këpuca e Artë? Mendoj që te Tirana janë të gëzuar që kanë dy lojtarë si Seferi dhe Xhixha. Mua personalisht më pëlqen Seferi. Bën mbimaksimumin e tij për skuadrën. Jo se Xhixha s’e bën, por gjendja fizike e bën të jetë më parë. Besoj se do ta fitojë Seferi, por dhe nëse e fiton Xhixha e meriton.
Bateritë e ekipeve? Janë edhe llogaritë, veç pjesës fizike. Ndonjë skuadër ka probleme fizike, mendoj se është edhe pjesa e taktikës për të mos u mundur. Sidomos ekipet që luajnë për një vend në Europë. Vllaznia – Partizani bënë lojë shahu.
Kukësi? Ishte një ndeshje tipike për një stadium që të luhej ndeshja e parë. Është një presion i madh për Kukësin, në atë stadium. Ekipi ka presion, lojtarët po ashtu. Luajtën ndaj një kundërshtari të fortë siç është Laçi. Laçi mori atë që kishte përgatitur. Të gjithë e dijnë dhe e njohin Gjicin. Ndoshta gabon me mënyrën se si shprehet, por ka qenë gjithmonë ashtu.
Vllaznia? Finalja e Kupës është finale dhe me çdo kundërshtar mund ta humbësh. Më bën përshtypje se si nuk ka më entuziazmin. Luante më bukur futboll, të paktën ne që e shihnim nga jashtë. Duket që në lojë u mungon entuziazmi. E thashë, që edhe në këtë ndeshje, Vllaznia ishte me mendimin për të mos pësuar. Ashtu edhe Partizani. S’po bëjnë më atë që po bënin para dy javësh. Besoj se ana fizike ka të bëjë shumë.
Skënderbeu dhe Dinamo? Mua më vjen mirë që trajneri i Dinamos vazhdon të besojë. Ndeshjen e fundit s’duhej ta humbte. Dinamo mundet nga gabimet individuale të lojtarëve. Për fat të keq i ndodhi Simonit. Mendoj se do të jetë e ardhmja e futbollit shqiptar. Dinamo e ka problemin e shënimit të golit. Skënderbeu ka bërë ndeshje të mira. E kam ndjekur nga afër, për pjesë tifozllëku.
Laçi – Tirana? Ai rezultati i fazës së parë do ta bëjë Laçin më agresiv. Do t’ia bëjë të vështirë festën për t’ia shtyrë më shumë. Skuadra e ndjek. Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe kjo është e rëndësishme. E kam ndjekur intervistën e fundit të Duros, që nëse do të ishte nga fillimi do të ishte shumë afër Tiranës. Edhe unë besoj në eksperiencën e tij. Mendoj se disa pikë më shumë do t’i kishte.
Derbi Partizani – Dinamo? Ndeshjet e dy fazës së parë, ishin të bukura dhe të luftuara. Menduam që deri diku arritëm atë që kishim dëshirë. Vazhdon të jetë derbi, pavarësisht se dy ekipet kanë objektiva të kundërta.
Skuadra mendon se ky është shansi i fundit, për të pasur shpresë në sfidat e ardhshme. Nuk e shikoj Partizanin në ritmin e disa javëve. Lojtarët kanë rënë nga forma individuale. Lojtarët kryesorë s’po kalojnë një formë të mirë dhe skuadra nuk jep atë që duhet të japë. Presim një ndeshje të bukur”, tha ai./newsport/