Trajneri shkodran Armando Cungu ka refuzuar disa oferta të skuadrave të kampionatit shqiptar megjithatë në skenë për të ka dalë një tjetër ofertë. Këtë herë jashtë kufinjve territorial të Shqipërisë, pikërisht nga Maqedonia. Drejtuesit e Shkëndisë së Tetovës pasi nuk kanë arritur ta marrin sezonin e kaluar, po tentojnë që këtë gjë ta bëjnë sivjet. Për këtë arsye, burime pranë trajnerit 42 vjeçar bëjnë të ditur se ai ditët e fundit ka patur telefonata të njëpasnjëshme nga ana e pjestarëve të këtij klubi të cilët I kanë kërkuar edhe takim në Tiranë këtë fundjavë atij. Cungu në fakt duket I pavendosur për të ardhmen e tij. Pasi ka refuzuar oferta të ndryshme nga skuadra të kampionatit shqiptar, duhet parë se si do të veprojë me ofertën e skuadrës shqiptare nga Maqedonia e cila siç dihet do të marrë pjesë në Europa League këtë sezon. Por ndërkohë në këtë kompeticion europian do të marrë pjesë edhe ekipi I Laçit, me të cilin dy javë më parë ky trajner fitoi Kupën e Shqipërisë. Madje, presidenti I tij Pashk Laska duket se të gjitha planet për pjesmarrjen në këtë kompeticion europian por edhe për sezonin e ri, I ka bërë me Cungun në pankinë ndonëse palët ende nuk janë ulur në tavolinë për të firmosur kontratën e bashkëpunimit edhe për sezonin e ri. Trajneri në fjalë që njëkohësisht është një nga më të suksesshmit e futbollit shqiptar në tre sezonet  e fundit, në çdo deklaratë të bërë kohët e fundit ka thënë se do pushojë pak për të hequr stresin e një sezoni shumë të lodhshëm dhe më pas do mendojë për sezonin e ri. Për këtë arsye, ai bashkë me familjen e tij ndodhet në Kroaci por do kthehet këtë fundjavë. Ndoshta për të marrë edhe vendimin përfundimtar se cilën skuadër do të punojë në sezonin e ardhshëm. Laçi ka shanset më të mëdha që ta ketë sërish në pankinë megjithatë oferta e Shkëndisë së Tetovës që do të vijë këtë fundjavë, mund të ndryshojë planet e tij.

© shkodrasport.com