Shkëndija e Tetovës ende nuk ka bërë lëvizje për merkaton dimërore, por kjo nuk do të thotë se tetovarët nuk kanë pikasur dikë. Madje, drejtuesit e klubit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, janë vënë në ndjekje të një futbollisti i cili është zbuluar nga Barcelona.

Fjala është për David Babunskin, me fantazistin maqedonas që është aktivizuar në 48 ndeshje me Barcelonën B, por pa ia dalë të bindë ekipin e parë.

Ndërkohë, gjatë karrierës së mëvonshme, 26-vjeçari ka luajtur për klube si Cërvena Zvezda, japonezët e Jokohamës dhe Omija dhe së fundmi me rumunët e Botoshanit.

Tashmë, Babunski është futbollist i lirë dhe mund të transferohet me parametër zero ndërsa do të ishte futbollisti i duhur për të zëvendësuar Valon Ahmedin e larguar drejt Shaktar Soligorsk. /VipSport/