Erald Çinari u prezantua ditën e djeshme në rradhët e Shkëndijës së Tetovës. Sulmuesi shkodran që prej disa kohësh ishte në vorbullën e merkatos në vendin tonë, ku skuadra si: Partizani apo edhe Vllaznia kishin shprehur interes për të. Por duket se ata që këmbëngulën deri në fund ishin kuqezinjtë tetovarë, që kanë siguruar shërbimet e mëngjërashit.
E duket se dashuria e klubit nga Tetova me futbollistët shkodranë vijon edhe këtë sezon, ku Çinari është futbollisti i rradhës nga Shkodra që i bashkohet Shkëndijës. Para tij më parë me Shkëndijën është aktivizuar edhe Rubin Hebaj për një gjysmë sezoni në vitin 2021. Madje sulmuesi shënoi edhe disa herë në edicionin ku kuqezinjtë u shpallën kampionë të Maqedonisë së Veriut.
Hebajn e pasoi në Tetovë në edicionin 2021-22, Sindrit Guri. Një tjetër sulmues nga Shkodra që shënoi 10 gola në kampionat atë sezon me Shkëndijën, madje duke siguruar edhe një transferim në Turqi tek skuadra e Istanbulspor. Të dy futbollistët kanë lënë kujtime të bukura tek tifozët e Shkëndijës të cilët duken të emocionuar edhe për afrimin e Çinarit.
Për Çinarin kjo do jetë eksperienca e dytë jashtë Superiores, ku për 1.5 sezone u aktivizua në Turqi me Samsunpor. E ndërsa më parë 26-vjeçari ka qenë pjesë e Vllaznisë për 4 sezone e po ashtu pjesë e Partizanit për 3 sezone. Ku me të kuqtë fitoi edhe titullin kampion edhe Superkupën e vendit në sezonin 2018-19./SHKODRA-SPORT.COM/