Tradita e përvitshme e organizimit të hapjes zyrtare të sezonit të notit, është bërë edhe këtë vit në Shkodër. Dhe si zakonisht në Shirokë. Ka ndodhur kështu ditën e sotme teksa është zhvilluar edhe ceremonia e hapjes së këtij sezoni. Kanë marrë pjesë në të, pjestarë të Federatës Shqiptare të Notit, të klubit shumësportësh Vllaznia, të shoqatës së notit shkodran, veteranë të këtij sporti, pjestarë të Drejtorisë Arsimore Shkodër etj. Ai që ka përshendetur të pranishmit ka qenë një emër i njohur i këtij sporti, Kolës Shiroka që ndër të tjera ka bërë edhe një historik të shkurtër të këtij sporti në Shkodër, që nga krijimi i tij dhe deri më sot. Pas kësaj hapje, është vazhduar me garat teksa janë zhvilluar gara me nxënës të shkollave 8 vjeçare dhe të mesme të qytetit të Shkodrës, ndonëse temperaturat kanë qenë të ulëta dhe jo shumë normale për një gjë të tillë. Në garat e shkollave 8 vjeçare, vendin e parë për vajza e ka zënë Erbi Artunda e shkollës së Zogajve ndërsa për djem, Aleksandër Shiroka i shkollës “Zemra e Krishtit”. Në garat e nxënësve të shkollave të mesme, për vajza fituese është shpallur Edona Rrjolli e shkollës “28 Nëntori” dhe po nga kjo shkollë ka dalë edhe fituesi i djemve- Erlin Pateriku. Ndërkohë në fund të aktivitetit, Federata Shqiptare e Notit ka nderuar familjen Muriqi me një diplomë të veçantë për kontributin e madh që ka dhënë për këtë sport në vite. Në emër të kësaj familje, Enver Muriqi ka shprehur falenderimet e tij dhe sigurisht që ka premtuar se ky kontribut do vazhdojë edhe më tej.
www.shkodrasport.com