www.shkodrasport.com
Kanë dalë triumfues djemtë e Elis Legatës dhe Ervin Dhambit në mes ekipeve nga 25 shtete të botës. 17 vjeçarët e ekipit Shkodra 2006 kanë zënë vendin e parë në turneun “Citta della pace” të zhvilluar fundjavën e shkuar në Verona të Italisë. Ata kanë zhvilluar 5 ndeshje në këtë turne duke i fituar të gjitha ndeshjet. Katër prej tyre, ky ekip i ka zhvilluar në grup duke i mundur kundërshtarët gjermanë dhe italianë me të cilët është ndeshur. Me pikë të plota dhe në vend të parë, Shkodra 2006 ka fituar të drejtën të diskutojë finalen e këtij turneu për grupmoshën U-17. Në finale ajo është ndeshur me një ekip rumun dhe sërish ka dalë fitimtare, kësaj here me rezultatin 2-0 duke u shpallur në këtë mënyrë fituese e këtij turneu. Një sukses i jashtëzakonshëm ky i këtij ekipi dhe i trajnerëve të tij Legata e Dhambi. Në fakt, që përpara nisjes, Legata e kishte parashikuar teksa për gazetën online www.shkodrasport.com kishte deklaruar se nuk do ishte çudi nëse ekipi i tij kthehej me ndonjë kupë në Shkodër. Kjo tashmë është bërë realitet dhe ky është një sukses i madh sepse të triumfosh në mes ekipeve nga 25 shtete të botës nuk është pak. Pjesmarrja në turneun “Citta della pace” për ekipin shkodran është mundësuar nga Luan Guri, një mik i këtij ekip dhe sigurisht që trofeu i marrë sivjet, do të shtojë dëshirën e këtij ekipi për të marrë pjesë edhe në edicionet e ardhshme të tij.