Shkodra dhe Vllaznia kanë qenë ndër vite furnitorët e kombëtares shqiptare. Sidomos shumicë lojtarësh shkodranë ka pasur në moshat e Shqipërisë duke qenë se pikërisht se talentet e shumtë në futboll vinin nga Shkodra dhe akademia e Vllaznisë.

Një trend i tillë nuk ndryshon as në grumbullimin e rradhës të kombëtares U-21 të Shqipërisë. I fundit që u bashkua me kuqezinjtë e Bushit ishte Erald Çinari.

Mesfushori i Vllaznisë e çoi në pesë numrin e shkodranëve që janë pjesë e kombëtares. Vllaznia përfaqësohet me tre lojtarë si: Alen Sherri, Ardit Krymi dhe Erald Çinari.

Por një dyshe shkodrane janë edhe Abdurrahman Fangaj që luan me Laçin dhe Esin Hakaj që aktivizohet te Teuta. Kjo tregon edhe njëherë që talentet shkodranë vazhdojnë të ‘lulëzojnë’ në futbollin tonë dhe janë një bazë e fortë për të ardhmen.

Nuk duhen harruar as emrat e Rubin Hebaj, Uendi Vecaj apo edhe Erdenis Gurishta që kanë qenë pjesë e U-21 në grumbullimet e tjera. Të gjithë prodhime ‘bio’ të futbollit shqiptar dhe akademisë së Vllaznisë në veçanti.

Një traditë që vazhdon në Shkodër dhe për këtë duhen vlerësuar edhe trajnerët dhe drejtuesit e akademisë Vllaznia që ndër vite i kanë dhënë shansin lojtarëve të rinj të promovohen në futbollin shqiptar.

Një shembull që duhet ndjekur edhe nga ekipet e tjera të vendit tonë pasi talente ka edhe këtu e nuk kemi nevojë që të shkojmë në Afrikë apo Brazil për të marrë lojtarë cilësorë. /Newsport/