Vllaznia është bërë përfituese e një fondi që është akorduar nga Federata Botërore e Atletikës. Organi më i lartë i mbretëreshës së sporteve ka konfirmuar një financim për skuadrën kampione në Shqipëri. Këtë titull prej shumë vitesh radhazi e mban Vllaznia dhe automatikisht ai investim do të shkojë për këtë skuadër. Në fakt bëhët fjalë për një shtresë tartani që Federata Botërore ka dhënë për ekipin më të mirë shqiptar. Stadiumit “Loro Boriçi” i mungon pjesa e tartanit dhe në këtë mënyrë në ndihmë ka ardhur Federata Botërore. Kjo është pritur mjaft mirë nga shqiptarët e sidomos nga skuadra e Vllaznisë e cila vazhdon të vuaj për kushtet stërvitore ku pjesë e rëndësishme që ndikon negativisht në përgatitjen e atletëve është padyshim edhe mungesa e një shtrese tartani. Por për ta realizuar këtë projekt duhet patjetër bashkëpunimi dhe një financim deri diku modest i Bashkisë Shkodër. Kjo e fundit ka për detyrë të shtrojë shtresën e betonit përreth fushës së stadiumit “Loro Boriçi” dhe më pas pjesa tjetër e shpenzimeve të këtij projekti mbulohet nga Federata Botërore e Atletikës e cila ka dhënë miratimin e saj gjatë Kampionatit Botëror të Vrapimit në Mal që u zhvillua në Shqipëri me 11 shtator. Në këtë mënyrë tashmë gjithçka mbetet në dorën e Bashkisë Shkodër e cila nëse pranon të investojë një shumë parash sa për të shtruar në pistën e stadiumit betonin atëherë situata përmirësohet tepër për Vllazninë. Gjithashtu në Shkodër pista e vrapimit në stadium është e ndërtuar sipas përmasave standarte. Kjo gjë, nëse projekti për shtrimin e tartanit realizohet atëherë në stadiumin “Loro Boriçi” mund të zhvillohen të gjitha garat Kombëtare duke shtuar më shumë shanset për rezultatet pozitive për skuadrën e Vllaznisë. Bashkia Shkodër është vënë në dijeni për këtë projekt të Federatës Botërore të Atletikës, ndërkohë që akoma nuk ka dhënë ndonjë përgjigje nëse do të marrë përsipër investimin që i takon apo do të vazhdojë të tregohet e painteresuar duke e lënë atletikën ashtu si të gjitha simotrata e tjera të shumësportëshit në kushte mjerane për ta përqendruar vëmendjen maksimalisht vetëm tek futbolli.