Patjetër që ndeshja më e mirëpritur për një tifoz shkodran është gjithmonë ajo mes Tiranës dhe Vllaznisë. Kjo për vetë përballjet historike që ka pasur ky duel, trofetë e shumtë dhe lojtarët e prodhuar në vite. Duke qenë edhe dy klubet më të vjetra të vendit, kjo ndeshje ka marrë edhe emrin “klasikja e Shqipërisë”. Nesër edhe njëherë dy skuadrat do jenë përballë.

Në orën 19:45 luhet në “Air Albania”, për javën e 16-të të kampionatit. Një duel direkt për titull ku pavarësisht se Tirana kryeson me 8 pikë ndaj Vllaznisë, çdo gjë ngelet e hapur deri në fund të kampionatit. E pikërisht për këtë takim, Shkodra po “gumëzhin”. Në qytet prej fillimit të javës flitet vetëm për ndeshjen e së shtunës kundër Tiranës.

Interesimi i tifozerisë kuqeblu ka qenë i jashtëzakonshëm. Biletat e dalura në treg ditën e djeshme, kanë “avulluar” menjëherë. Në Tiranë nesër në duelin kundër vendasve, në tribunat e “Air Albania” pritet të ketë rreth 4-5 mijë tifozë shkodranë. Një organizim që ndoshta në një masë të tillë mungonte prej vitesh.

Dueli nuk do jetë vetëm në fushën e lojës mes futbollistëve, por edhe në tribuna mes tifozerive. Edhe njëherë tifozët shkodranë tregojnë se janë të veçantë në vendin tonë, ku kërkojnë ti japin mbështetjen maksimale ekipit të tyre të zemrës në një përballje jo vetëm të vështirë, por edhe që mund të vlejë titullin kampion.
Endri ÇINARI