Drejtuesit dhe futbollistët e Vllaznisë janë shqetësuar shumë pas humbjes dje në Krujë me Laçin jo se lanë tre pikë dhe tashmë gjërat janë vështirësuar së tepërmi. Ata janë shqetësuar për atë çfarë ndodhi me arbitrin dhe çfarë pritet të ndodhë në ndeshjen e fundit të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë në mes Laçit dhe Skënderbeut. E ka pranuar trajneri Vata se diçka “po gatuhet”, e ka pranuar administratori Shaba, por ai që del hapur është Dritan Smajli. Duke folur për gazetën online www.shkodrasport.com, mbrojtësi- mesfushor i Vllaznisë do të shprehej:
“Në Krujë pas dhënies së 11-metërshit në favor të Laçit, kam dashur të dal nga fusha dhe ta lë lojënn por ndërhyrja e drejtorit sportiv Grima më ka mbajtur në fushë. Ishte e pakuptueshme që të vazhdonim lojën. Gjyqtari Meta e kishte ndarë mendjen për t’ia dhënë fitoren Laçit se mesa duket kështu e kishin urdhëruar. Kjo u pa edhe në reagimet tona ndaj tij, ndonëse nganjëherë ishin të rënda dhe prisnim karton prej tij, ai ishte i pafuqishëm të na ndëshkonte sepse ishte vetë i përzier keq në pazaret e kësaj ndeshje.Laçi duhej ta fitonte këtë ndeshje dhe madje po ju them që sot se do të fitojë edhe ndaj Skënderbeut në transfertë javën e ardhshme. Planet janë bërë që Laçi dhe Flamurtari të kalojnë në gjysmëfinale sepse kështu i intereson Skënderbeut që këto dy skuadra të luftojnë kundër Tiranës në kampionat në mënyrë që korçarët të dalin kampion”. Të ndodhë vërtetë kështu? Smajli është i bindur se kështu ka për të ndodhur sepse kjo punë “mban erë” që prej tre ditësh sipas tij. “Tre ditë më parë, presidenti i Flamurtarit Gjika del në media dhe flet për gjoja një puç që Skënderbeu, Vllaznia dhe Laçi, po ndërtonin kundër tyre. Ne gjoja bashkë me korçarët dhe laçianët do zgjidhnim njëra-tjetrën kundër Vlorës për kalimin në gjysmëfinale. E gjitha ishte shoë sepse Vllaznia nuk ka qenë kurrë pjesë e pazareve të tilla. Përkundrazi, ne jemi viktimë e këtyre pazareve sepse të jeni të bindur që Skënderbeu, Flamurtari dhe Laçi janë duke punuar sëbashku kundër nesh. Pikërisht për këtë arsye, po e paralajmërojmë edhe publikisht Flamurtarin se të mërkurën e ardhshme do ta presë një ndeshje vërtetë “horrori” në Shkodër. Vllaznia do luajë me të gjitha mënyrat për ta fituar atë ndeshje sepse nuk mund të durojë padrejtësi të tilla. Mendoj se do kemi edhe mbështetjen e zjarrtë të tifozëve tanë, për këtë gjë që ta bëjmë “Loro Boriçin” një “ferr” të vërtetë për vlonjatët”-ka thënë në fund Smajli. Edhe trajneri Vata sot në konferencën e shtypit ka deklaruar se fitorja e Vllaznisë në Durrës i ka prishur punë dikujt prandaj dhe ky “dikushi” i dha urdhër gjyqtarit Meta t’i japë fitoren Laçit ndaj Vllaznisë. Madje, trajneri i kuqebluve shkon edhe më tej kur thotë se gjërat duken të përcaktuar që më parë se kush do dalë kampion dhe kush do ta fitojë Kupën e Shqipërisë. Ai nuk ka përmendur emra por planet janë bërë që Skënderbeu të dalë sërish kampion ndërsa Flamurtari të marrë kupën. A do ndodhë kështu? Kjo nuk do shumë kohë për t’u vërtetuar. Java e ardhshme do ta tregojë këtë. Nëse Laçi mund Skënderbeun (i duhet të paktën një fitore 3-0) besoj se në rradhë të parë duhet të ketë një reagim të ashpër nga tifozët korçarë për t’i thënë NDAL këtyre pazareve.
www.shkodrasport.com