Në muajin maj 2025, Shqipëria do të mirëpresë për herë të parë finalet e Kampionatit Europian U-17. Federata e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, do të organizojë këtë event historik, duke zhvilluar të gjitha ndeshjet në katër stadiume të përzgjedhura; “Air Albania”, “Elbasan Arena”, “Egnatia Arena” dhe “Niko Dovana”.
FSHF ka punuar intensivisht gjatë muajve të fundit për t’u siguruar që çdo detaj të jetë gati për këtë kampionat, veçanërisht në infrastrukturën sportive. Dhe në fakt për këtë event të rëndësishëm ka qenë planifikuar edhe Shkodra si mikëpritëse e tij, por ajo nuk ia doli që të ndërtonte një fushë stërvitore dhe si rrjedhojë kandidatura e saj ra poshtë. Por nuk ndodhi kështu pak më larg.
Stadiumi “Egnatia Arena” në Rrogozhinë është drejt përfundimit të rikonstruksionit të plotë. Investimet e FSHF përfshijnë; instalimin e një sistemi modern ndriçimi, pajisjen me ekran led perimetral, punime në tribuna dhe vendosjen e stolave të rinj dhe përmirësime të tjera të infrastrukturës së stadiumit.
Stadiumi pritet të plotësojë të gjitha standardet e UEFA-s, duke u bërë gati për të mirëpritur ndeshjet e kampionatit. Finalet e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” do të zhvillohen nga 19 maji deri më 1 qershor 2025.