Noti për shumëkënd në Shkodër është një angazhim pothuajse i përditshëm gjatë stinës së verës. Gjithashtu, është edhe një sport profesionist. Falë angazhimit të veçantë të trajnerit Kolë Shiroka, kjo disiplinë po i rikthen Vllaznisë medaljet e harruara në këtë sport.
Megjithatë, ajo çfarë i mungon këtij ekipi është pishina olimpike, ku Vllaznia mund të zhvillojë seancat stërvitore. Aktualisht, në Shkodër vazhdon të mungojë një pishinë e mirëfilltë sportive. Momentalisht, ekipi i Vllaznisë në not stërvitet në një pishinë rekreative në një kompleks privat. Mos u çuditni, por ekipi i notit “Vllaznia” stërvitet në një pishinë hoteli.
Pishina ku stërviten sportistët e klubit “Vllaznia”, është brenda mjediseve të një hoteli, projektuar për relaks klientësh dhe jo për stërvitje të qetë dhe kualitative. Si e tillë, pishina e hotelit është jashtë parametrave të kërkesave olimpike, sepse nuk ka starte, thyese dallge dhe as gjatësinë e duhur për të testuar distancat, cilësinë, manovrimin teknik, saktësinë dhe efektivitetin e stërvitjes, si në garë të vërtetë.
Pa harruar, “popullimin” e pishinës me frekuentim dhe zhurma klientësh të hotelit rrotull pishinës, por edhe largësinë e kësaj pishine të përzgjedhur nga Bashkia Shkodër, duke krijuar vonesa për shkak të trafikut, por edhe shpenzime për familjet e sportistëve.
Ndoshta, një ide për shfrytëzimin e një pishinë olimpike mund të jetë edhe pishina e vjetër në lagjen “Skënderbeg”, përballë parkut të autobusëve, aty ku dikur vendoseshin rekorde në gara të ndryshme.
Kjo pishinë nuk është prekur fare që atëherë kur ishte funksionale, me përjashtim të mbetjeve dhe mbeturinave që hidhen vazhdimisht aty. Kjo mbetet në kuadrin e një sugjerimi, pasi janë hallka të tjera dhe proçedura të tjera ligjore që mund ta vendosin një gjë të tillë, marrjen apo jo në përdorim të saj për ekipin e notit “Vllaznia”.
Megjithatë, fakt është që një pishinë e mirëfilltë sportive mungon në Shkodër, ndërsa një të tillë e kanë Tirana dhe Durrësi. Trajneri Kolë Shiroka ka kohë që “lutet si fëmijë” që Bashkia Shkodër apo qeveria, më konkretisht ministria përkatëse, të ndërtojnë një pishinë sportive për ekipin “Vllaznia”.
Mbështetja e parë konkrete dhe jo me fjalë, duhet të jepet nga Komiteti Olimpik, sepse e ka detyrim. Ndoshta, thirrja mund të shkojë edhe për Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, z. Bardh Spahia dhe Prefekten e Shkodrës, znj. Majlinda Angoni.
Deri më tani, sportistët janë mbështetur financiarisht nga familjet dhe biznesmenët miq të trajnerit Kolë Shiroka, ndërkohë që Bashkia e Shkodrës dhe Komiteti Olimpik, po e lënë të “mbytet” këtë sport tradicional në qytetin tonë.
Maringlen ZHIVANI