Ëndrra për një pistë tartani në stadiumin e Shkodrës është shuar edhe për vitin 2012. Kur pritej që kjo gjë  të bëhej realitet në këtë vit, nuk do ndodhë kështu. Bashkia Shkodër në buxhetin e vitit 2012 nuk ka planifikuar asnjë investim në pistën e “Loro Boriçit” që duhej shtruar me beton para se të vinte tapeti që ishte dhuratë e Federatës Europiane të Atletikës.Kjo është mësuar nga hartimi i buxhetit të këtij viti që ka marrë edhe miratimin e Këshillit Bashkiak në fillim të kësaj jave. Dëshira e sportistëve dhe trajnerëve të Vllaznisë kësisoj është venitur edhe për këtë vit të paktën. Keqardhje për këtë gjë ndjejnë edhe ato që kanë kontribuar për këtë sport vite më parë. Njëri prej tyre është kampioni i shumë viteve me rradhë në këtë sport, pikërisht Ardian Zhuri i cili ndjen keqardhje për këtë gjë dhe ai e shpreh atë edhe për gazetën online www.shkodrasport.com kur thotë: “Para shpresë se më në fund Shkodra do kishte pistë tartani. Gjithë ky stadium, gjithë ky qytet dhe gjithë ky klub që ka nxjerrë kampionë e rekordmenë të shumtë në vite, ka nxjerrë sportistë të ekipeve kombëtare, pjesmarrës në Ballkaniada, Europianë, Botërorë e Olimpiada, e meritontë një pistë të tillë. Nuk e di çfarë ndodh sepse ka që në vitin 1998 që flitet se do bëhet por sërish mbet pa u realizuar. Kjo është absurde dhe pak e çuditshme që në vitin 2012 sportistët e Shkodrës të stërviten sërish në pistë me dhe’. Jemi shumë të vonuar për këtë gjë”. Në fakt, mund të duket paksa e çuditshme kjo gjë sepse në botë tartani nuk është më luks. Madje edhe për vendet e Rajonit tonë. Ish-kampioni Zhuri jep një shembull për këtë kur thotë: “Në 2008 ishim për fazë përgatitore në Tivar të Malit të Zi ku kishte një pistë tartani por ishte e amortizuar. Shkuam një vit më vonë aty sërish dhe pamë pistën me tartan të ri. Ndodh në një fushë stërvitore, në një qytet të vogël pa ndonjë traditë të madhe. Ndërsa në Shkodër, me gjithë këtë stadium, me gjithë këtë traditë, nuk kemi ende një pistë me tartan. Jemi shumë të vonuar”. Në buxhetin e Bashkisë Shkodër nuk është planifikuar asnjë fond për pistën 400 metërshe të stadiumit por as për pistën e mbuluar poshtë shkallëve, e cila në fakt çdo ditë e më tepër po njeh shkatërrim. Mbase duhet pritur viti 2013 për të menduar sërish për ta bërë realitet shtrirjen e pistës së ”Loro Boriçit” me tartan.

www.shkodrasport.com