Historikisht Shkodra është shquar për nxjerrjen e portierëve cilësor ndër vite, që numërohet jo pak. Por absurditeti, çuditërisht, në ditën e sotme, qëndron në faktin se në katërkëndorin e kuqebluve nuk është asnjë shkodran, madje as në stolin e rezervave. E për më pak se kaq, porta e Vllaznisë në pesë javët e para të kampionatit, por edhe në ndeshjet e kupës, po kthehet në një repart, që po i bën të vuajë, jo pak, por të gjithë në skuadër, por edhe staf teknik dhe drejtues, dhe jo më pak sportëdashësit e shumtë. Gjatë sezonit të kaluar të gjithë u mrekulluan me paraqitjen shumë të mirë të malazezit Mirosllav Vujadinoviç,

por në krahun tjetër ai kishte një partner të denjë si Armir Grima, i cili edhe pse ishte në fundin e karrierës së tij, ishte një shtysë në rritjen e cilësisë së malazezit, pasi ishte një rival real për në portë, ç’ka u vërtetua edhe momente të veçanta të sezonit të kaluar. Por dorëheqjen e Grimës nga futbolli i luajtur, drejtuesit e Vllaznisë vendosën që dy portierët kryesor të këtij ekipi të ishin të huaj dhe pikërisht nga vendi fqinj, Mali i Zi. I pari ishte i njohur për opinionin tashmë, Vujadinoviç dhe i dyti po tenton të bëhet i njohur, shqiptaro-malazezi Enis Gjokoviç. Ndoshta ky i fundi mund të bëhet i njohur vetëm me gafat e tij, që siç duket po mëson nga i parë, që është kthyer në një portier katastrofë, në pesë javët e para, nga një portier, i cilësuar si ndër më të mirët e kampionatit shqiptar. Besoj se nuk ka nevojë për komente, për gabimet trashanike të portierit Vujadinoviç në pesë ndeshjet e kaluara tashmë, të këtij kampionati, e së fundmi i dha edhe një “dorë” Tiranës, për të marrë një pikë në Shkodër. Ai nuk luajti në Elbasan, në mesjavë, për Kupë, me argumentin se ishte i përfshirë nga gjendje gripale, por ia “pasoi topin” e gafave, kolegut të tij, Gjokoviç. Ky i fundit mban përgjegjësi për dy golat e pësuar në “Ruzhdi Bizhuta”, pavarsisht se nuk ia lëkundi pozitat e fitores Vllaznisë. Sidomos të goli i dytë i elbasanasve, ku topi i shpëton nga duart, nga një gjuajtje pa probleme, tregon qartë se për momentin ai nuk është i gatshëm dhe i denjë për të përfaqësuar siç duhet, në nivele të larta, fanellën e Vllaznisë. Aktualisht i bie që porta të jetë problemi i madh i kuqebluve, dikur ka qenë pika kryesore dhe më e fortë e Vllaznisë. Kjo nuk është pak. Shkodra dhe Vllanzia ndër vite kanë rritur dhe formcuar portierë cilësorë, ndërsa sot i kërkojnë nëpër Europë, i gjejnë dhe i marrin, duke i pak shtrenjtë dhe bëjnë të tilla paraqitje, siç i kemi parë në këto ndeshje të para të këtij sezoni. Dikush duhet të shqetësohet dhe të reagojë dhe reflektojë, së bashku me portierët, për paraqitjen e tyre të dobët, por edhe për një strategji ndryshe në të ardhmen.

 

Mejdan Zhivani