Mbrëmë numri i klikimeve në SHKODRA SPORT ka mbërritur në 900 mijë. Sigurisht që është një REKORD. Një numër i tillë është arritur vetëm 19 muaj nga hapja e kësaj gazete online. Moda e të tilla gazetave tashmë është çdo ditë e më tepër në lulëzim prandaj dhe jemi të kënaqur që ideja jonë është përkrahur. Gjatë këtyre 19 muajve, 900 mijë klikimet e faqes sonë tregojnë se tashmë kemi një numër sportdashësisht që na ndjekin rregullisht. Madje për një pjesë të tyre, klikimi i SHKODRA SPORT është kthyer në një “sëmundje të përditshme”. Ne si staf sigurisht që jemi të kënaqur për të. Për profesionalizmin që kemi treguar dhe për mbajtjen e paanësisë. Për ne, e rëndësishme është dhënia e lajmit. Por përveç tij, siç mund ta keni vërejtur, e rëndësishme dhe primare mbetet historia e sportit dhe e sportistëve shkodranë. Jemi munduar të pasqyrojmë figurat e shquara të këtij qyteti, jemi munduar të pasqyrojmë foto të vjetra sportive dhe natyrisht që jemi të kënaqur për interesin e treguar ndaj tyre. E kemi të qartë se pa histori nuk ka gazetari. Prandaj SHKODRA SPORT ka marrë përsipër dhe do të vazhdojë në këtë rrugë për të pasqyruar historinë e Shkodrës sportive dhe në fakt ky qytet ka se çfarë të tregojë sepse pikërisht aty kanë pikënisjen e tyre shumica e sporteve që aplikohen në vendin tonë. 900 mijë klikimet tregojnë se stafi i kësaj gazete vazhdon ta bëjë në mënyrë e duhur punën e tij fisnike. E për këtë, më duhet të falenderoj padyshim Mejdan Zhivanin për kontributin e tij të dhënë dhe shpresojmë që ai të jetë sa më shpejt pjesë e kësaj gazete sërish me shkrimet e tij pas sëmundjes që kaloi, të falenderoj Admir Uruçin, Senad Nikshiqin e Anton Zallin. Megjithatë falenderimet më të mëdha shkojnë për dy bashkëpunëtorët e mi më të afërt, fotografin e pasionuar dhe një nga njerëzit kryesorë të SHKODRA SPORT, Gjon Gjekën si dhe webmasterin Terenc Pepa. Të gjithë këta, kanë kotribuar në mënyra të ndryshme për të shkuar në 900 mijë klikime. E kemi thënë dhe po e themi, kur të bëhen 1 milionë klikime, besoj se do jetë një festë e bukur e gazetës sonë. Festë që nuk do jetë larg.
Gjergj KOLA