Pas gati tre javësh, gazeta online shkodrasport.com shpall sonte “10 sportistët më të mirë të vitit 2012” të Vllaznisë. Bëhet fjalë për më të mirët e ekipit të futbollit dhe ata të sporteve të tjera. Anketa ka qenë e hapur për të gjithë. Kanë votuar njerëz të ndryshëm përmes faqes tonë zyrtare në facebook, pikërisht facebook.com/shkodrasport por edhe përmes adresës zyrtare të e-mailit të gazetës info@shkodrasport.com. Kanë marrë pjesë në këtë anketë rreth 500 vetë të fushave dhe moshave të ndryshme, të cilët kanë nxjerrë edhe 10-shen fituese për këtë vit. Ja ato:
1. Dritan Smajli (futboll)- 320 vota
Lezhjani që po luan për të pestin sezon rradhazi për Vllazninë, dallohet gjithnjë për shpirtin e lartë të garës, sakrificën dhe dashurinë me të cilën luan për këtë skuadër. Konsiderohet një nga pikat më të forta të Vllaznisë. Gjithnjë stabël në formacion, gjithnjë përcaktues me lojërat e tij. Luan si mbrojtës por dallohet edhe për daljet në ndihmë të sulmit madje shfaqet herëpashere edhe si golashënues. Ka marrë në këtë anketë 320 vota më shumë nga të gjithë, duke qenë më i votuari.
2. Kristian Demaj (boks)- 301 vota
Konsiderohet një nga emrat më të njohur të boksit shkodran dhe atij shqiptar në këto vitet e fundit. Kampion i Shqipërisë, fitues i padiskutueshëm në ndeshjet e tij. Protagonist me paraqitjet e tij të mira edhe në shumë aktivitete ndërkombëtare ku ka marrë pjesë gjatë këtij viti. Në vitin e ardhshëm mendohet të jetë një nga pretedentët për medalje në Lojërat e Mesdheut. Demaj ka marrë 301 vota duke u renditur i dyti ndër më të votuarit.
3. Nelson Hysa (boks)- 297 vota
Sporti i boksit padiskutim që do ketë më shumë fitues se gjithë sportet e tjera në këtë anketë. Njëri prej fituesve është edhe Nelson Hysa. Gjatë vitit 2012 është shpallur kampion i Shqipërisë në peshën e tij, titull ky që është i teti për të. Përveç këtij suksesi, ka marrë edhe medalje të artë në kupën “Adem Jashari” në mes boksierëve të 11 shteteve pjesmarrëse. Hysa ka marrë 297 vota në këtë anketë duke u renditur i treti
4. Elvedin Meti (atletikë)- 280 vota
Mbretëresha e sporteve- atletika, s’kishte si të mos jetë prezente në këtë anketë me fituesit e saj. Ai është Elvedin Meti, kampion i Shqipërisë në garën e 200 metrave për vitin 2012. Konsiderohet si një nga sprinterët më të mirë të vendit dhe një nga atletët më me perspektivë për të ardhmen e këtij sporti. Ai ka marrë 280 vota në këtë votim dhe është i katërti.
5. Miroslav Vujadinoviç (futboll)- 276 vota
Futbolli, sporti më popullor dhe më i dashur për të gjithë, ka edhe një fitues tjetër në këtë anketë. Ai është portieri nga Mali i Zi por që mbron për të tretin vit me rradhë portën e Vllaznisë- Miroslav Vujadinoviç. Simpatia për të në Shkodër është e madhe dhe tifozët kuqeblu e konsiderojnë veten me fat që në ekipin e tyre kanë një portier të tillë. “Vujke” ka marrë 276 vota duke u renditur i pesti.
6. Isa Bala (peshëngritje)- 253 vota.
Sporti më i suksesshëm- peshëngritja ka patur fituesin e saj në këtë anketë. Ai është Isa Bala, kampion në peshën +105 kg për vitin 2012. Ky është i disati vit që ai arrin një sukses të tillë. Kuptohet që e përfaqësonë denjësisht shtangën shkodrane në këtë anketë duke patur parasysh mungesën e Qerimajt për shkak të pezullimit të tij megjithëse ai mbetet një kampion i madh.
7. Kristian Shytani (boks)- 231 vota
Boksi përfaqësohet si fitues në këtë anketë edhe me sportistin më të mirë të kampionatit kombëtar. Ai është Kristian Shytani që është shpallur kampion në peshën 64 kg. Përveç këtij suksesi të dyfishtë në kampionat, Shytani ka marrë medalje të artë edhe në turneun e rëndësishëm “Gongu i Artë” zhvilluar në Shkup të Maqedonisë. Boksieri kampion ka marrë 231 vota në këtë anketë duke u renditur i shtati.
8. Ardit Rrashi (atletikë)- 197 vota
Atletika na ka dhuruar një tjetër fitues në bazë të vlerësimeve që kanë bërë lexuesit tanë. Ai është Ardit Rrashi. Jo më kot. Rrashi është atleti më i shpejtë në Shqipëri për vitin 2012 sepse është fituesi i garës tradicionale të 100 metrave. Konsiderohet një atlet me shumë perspektivë për të ardhmen. Ka marrë 197 vota duke u renditur i teti në anketën tonë.
9. Aurora Shkoza (xhudo)- 154 vota
Kampione e padiskutueshme në sportin e xhudos, duke ndihmuar që edhe ekipi i femrave të Vllaznisë të shpallej sërish kampion i Shqipërisë për vitin 2012. Aurora Shkoza, ka qenë e suksesshme edhe në shumë aktivitete ndërkombëtare duke dhuruar shumë medalje për vendin tonë. Ka marrë 154 vota duke u renditur në vendin e 9-të në anketë.
10.Endri Jukni (volejboll)- 136 vota
Sporti i volejbollit përfaqësohet në këtë anketë fituese me Endri Juknin. Konsiderohet një nga shtyllat e ekipit të volejbollit të Vllaznisë. Dallohet për lojën e tij dhe vlerësohet për të gjitha paraqitjet që ka bërë në ndeshje. Ka marrë 136 vota duke qenë i 10-ti dhe fituesi i fundit i anketës sonë.
Shënim: Gazeta online shkodrasport.com sqaron se këto votime kanë qenë të lexuesve. Paralelisht me këtë anketë, siç dihet do organizohet edhe një anketë tjetër nga klubi shumësportësh Vllaznia në bashkëpunim me atë të futbollit. Madje, fituesit e anketës së tyre këto dy klube do t’i shpallin mbrëmjen e së mërkurës në ambjentet e Grand Hotel Europa. Pikërisht për këtë, sqarojmë se anketa jonë është e lexuesve, e sportdashësve dhe s’ka lidhje me këtë anketën tjetër. Thjesht është organizuar me qëllim evidentimin e më të mirëve nga sportdashësit e apasionuar shkodranë. Ju falenderojmë për mbeshtetjen qe na keni dhene per te perzgjedhur sportistet me te mire.