Janë orët e fundit të këtij viti. Në aspektin sportiv ka qenë i suksesshëm por edhe jo. Shteti shqiptar vazhdon të mos i kushtojë rëndësinë e duhur atij. Mungon vëmendja ndaj sporteve dhe sportistëve cilësorë, mungon një platformë për të bërë diçka të mirë në të ardhmen në mënyrë që të mos i gëzohemi sukseseve të futbollistëve kosovarë me kombëtaren tonë apo të Majlinda Kelmendit që tashmë ka zgjedhur të përfaqësojë vendin e saj.
Në Shkodër ndërkohë, Bashkia po mundohet të bëjë më të mirën e mundshme për të mbështetur të gjithë sportet, por buxheti i saj nuk mjafton. Për më tepër që ka si “barrë” edhe futbollin. Ajo çfarë mungon thuajse tërësisht afrimi i biznesmenëve pranë ekipeve sportive. Të vetmit që e kanë bërë këtë gjë kanë qenë Sokol Dibra i basketbollit dhe Lazer Matija i futbollit të femrave. Dhe rezultati është aty: Të dy ekipet janë kampione të padiskutueshme të Shqipërisë. Në këto kushte, ajo çfarë duhet të presim për vitin që vjen, është më shumë vëmendje për sportin. Nga të gjithë. Që ata të kenë pagesa më të mira, kushte më të mira stërvitore dhe mbështetje morale e financiare për grumbullim, bazë materiale etj. Gazeta “SHKODRA SPORT” uron të gjithë sportistët shkodranë, trajnerët e tyre, veteranët e sportit dhe natyrisht edhe sportdashësit, Gëzuar Vitin e Ri 2017! Qoftë një vit sa më i mbarë për të gjithë ju dhe sa më shumë suksese!
© shkodrasport.com