Paraditen e sotme është luajtur ndeshja e rradhës e kampionatit të kategorisë së parë të 17 vjeçarëve në mes AAS dhe Shkodra. “Derbi” shkodran është luajtur në kompleksin sportiv “Hasaj” dhe është dominuar nga ekipi i Shkodrës i cili në fund ka fituar me rezultatin 3-0.
Rezultati është zhbllokuar në minutën e 26-të kur Pjolla ka shënuar golin e parë dhe ka kaluar në avantazh ekipin e Shkodrës.
Pjesa e parë është mbyllur me këtë gol. Në të dytën do të ishte Shpuza ai që në minutën e 58-të do të dyfishonte shifrat ndërsa për ta mbyllur ndeshjen do të mendonte Brahusha i cili do shënonte golin e tretë në minutën e 81-të.
Me këtë fitore, Shkodra U17 është ngjitur në kuotën e 36 pikëve duke mbajtur vendin e parë në renditje dhe është shumë pranë realizimit të objektivit të saj, ngjitjes në Superligë. Ndërkohë, AAS U17 mbetet në kuotën e 21 pikëve dhe është i pozicionuar në vendin e katërt të renditjes.
© shkodrasport.com